Maqedoni

Pendarovski – Novak: Ballkani stabil forcon stabilitetin e Evropës

06.02.2023 14:20

Integrimi i RMV në Bashkimin Evropian do të paraqiste stabilitet plotësues për të gjithë rajonin dhe Ballkanin Perëndimor...

Integrimi i RMV në Bashkimin Evropian do të paraqiste stabilitet plotësues për të gjithë rajonin dhe Ballkanin Perëndimor, por edhe për të gjithë Evropën, sepse pa stabilitet në Ballkanin Perëndimor, nuk mund të pretendojmë dhe të imagjinojmë një Union Evropian stabil, theksuan presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski dhe homologia e tij hungareze, Katalin Novak. Pendarovski vlerëson se Hungaria ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin për fillimin e negociatave për anëtarësim të vendit në BE. 
 
“Në mënyrë të pamohueshme, Hungaria është një nga anëtarët më të zhurmshëm dhe më aktivë të BE-së, një vend që luajti një rol të rëndësishëm në fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut. Kemi shkëmbyer edhe informacione për sigurinë e kontinentit. Ne me BE duhet t’i vazhdojmë bisedimet për anëtarësim, por nuk duhet të lidhemi me afate.”, - deklaroi presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
 
Për presidenten hungareze Novak, pa Ballkan stabil, nuk mund të llogarisim se do të kemi Evropë të qetë. 
 
“Anëtarësimi i RMV-së në Bashkimin Evropian para se gjithash ka një rol shumë domethënës dhe të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, por edhe të Bashkimit Evropian. Nëse në Ballkanin Perëndimor nuk kemi stabilitet, atëherë nuk mund të llogarisim se do të kemi një Evropë stabile, prandaj të gjithë ne duhet ta ndihmojmë RMV që sa më shpejtë të anëtarësohet në BE.”, - theksoi presidentja e Hungarisë, Katalin Novak.
 
Të dy presidentët po ashtu kanë biseduar edhe për krizën me emigrantët, një problematikë shumë e theksuar në Hungari, por edhe në vendet e Ballkanit. 
 
FITIM KRYEZIU
 
GAZETAR: 
FITIM KRYEZIU