Maqedoni

MPJ: Dy shtetas të RMV-së të lënduar në Turqi

06.02.2023 14:49

Nëntë persona nga Maqedonia e Veriut ndodhen në zonën e prekur nga tërmeti katastrofal në Turqi...

Nëntë persona nga Maqedonia e Veriut ndodhen në zonën e prekur nga tërmeti katastrofal në Turqi, bën të ditur Ministria e Punëve të Jashtme. Nga kjo ministri thonë se po njoftohen përmes Ambasadës në Ankara dhe Konsullatës së Përgjithshme në Stamboll, për situatën në Turqinë juglindore, si dhe shtetasit e RMV-së që ndodhen atje.  
 
“Përfaqësitë tona pasi u informuan, kontaktuan nëntë nga qytetarët tanë që ndodhen në rajonin e goditur nga tërmeti. Bëhet fjalë për tetë nxënës dhe një mentor/mësues të tyre, të cilët po qëndrojnë në Republikën e Turqisë përmes programit “Erasmus Plus”. Si pasojë e tërmetit, dy nga nxënësit kanë pësuar lëndime fizike: një nxënës ka lëndime më të rënda – frakturë që aktualisht është në kujdes nga personeli mjekësor, duke u rikuperuar, ndërsa nxënësi i dytë ka lëndime të lehta. Asnjë nga studentët dhe mentori nuk janë në rrezik”.
 
Po ashtu, nga MPJ theksojnë se deri më tani nuk ka asnjë informacion për shtetas të tjerë tanë që janë në rrezik, apo që kanë nevojë për ndihmë, por përfaqësitë tona mbeten në komunikim të vazhdueshëm si me institucionet kompetente të Turqisë ashtu edhe me qytetarët tanë të cilët janë të informuar për situatën në terren. 
 
“Pas instruksionit të MPJ-së, tashmë në rajon është dërguar një diplomat nga Ambasada në Ankara për të ndihmuar në evakuimin e studentëve nga qyteti Kahraman Marash, si dhe për të siguruar informacione direkt nga terreni, në zonat më të goditura.”.
 
Nga Ministria e Jashtme, njëherit bëjnë të ditur se misionet diplomatike të Maqedonisë së Veriut në Turqi janë në dispozicion për të gjitha pyetjet e mundshme, në numrat zyrtarë të telefonit në Ankara, në Stamboll dhe SOS telefonin e MPJ-së në Shkup.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI