Botë

Tërmet me magnitudë 7.8 godet Turqinë, njoftohet për mbi 1.500 viktima

06.02.2023 15:03

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë dhe Sirinë këtë të hënë rreth orës katër të mëngjesit...

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë dhe Sirinë këtë të hënë rreth orës katër të mëngjesit, duke shkaktuar mbi 1.500 viktima apo mbi 1.000 në Turqi dhe më shumë se 592 në Siri. Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan duke folur për katastrofën që e goditi vendin e tij tha se marr parasysh se shumë persona kanë ngelur nën rrënoja numri i viktimave mund të rritet.  Mbi 5.000 persona raportohet se janë plagosur në të dy shtetet. Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një në shkallë prej 6.7 shkallësh të Rihterit. Ekipet e kërkim shpëtimit janë duke kërkuar njerëz nën rrënoja. Deri tani janë shpëtuar mbi 2.000 persona. Në dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti. Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, njoftojnë autiritetet.
 
“Të paktën 2.818 ndërtesa konfirmohet se janë shembur. Duke qenë se heqja e mbeturinave vazhdon ende, nuk e dimë se sa do të jetë numri i viktimave. Që nga momenti i tërmetit, shteti ynë ka hyrë në veprim me të gjitha institucionet e tij. Guvernatorët kanë mobilizuar menjëherë të gjitha mjetet e tyre në dispozicion. Prioriteti ynë shkon te puna e shpëtimit. Për momentin janë 9 mijë punonjës shpëtimi, numri i të cilëve rritet vazhdimisht. Për sa i përket ndihmës ndërkombëtare, ata tashmë kanë kontaktuar vendin tonë. Përveç NATO-s dhe BE-së, tek ne kanë mbërritur oferta ndihme nga 45 vende.”, - deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, që jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane.
 
“Ekipet tona iu përgjigjën të gjitha lokacioneve dhe ndërtesave për t’u ndihmuar  dhe ende tani, shumë familje janë nën rrënoja. Ekipet tona po përpiqen t'i shpëtojnë ata, por kjo është një detyrë e vështirë  për ne. Ne kemi nevojë për ndihmë. Ne kemi nevojë që komuniteti ndërkombëtar të bëjë diçka, të na ndihmojë, të na mbështesë. Siria veriperëndimore është tani një zonë fatkeqësie. Ne kemi nevojë për ndihmë nga të gjithë për të shpëtuar njerëzit tanë.”, - theksoi ministri i mbrotjes së Sirisë, Ismail Alabdallah. 
 
Autoritetet turke thanë se pas tërmetit të parë të fuqishëm janë regjistruar edhe të paktën 20 lëkundje të tjera pasuese. Qytetarë të shumtë nën rrënoja kërkojnë ndihmë përmes Twiterit, duke dërguar lokacionet ku gjinden. Ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu tha se janë prekur 10 qytete: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Dijarbakir dhe Kilis. Përveç Turqisë dhe Sirisë lëkundjet e tokës u ndjenë deri në Qipro, Egjipt dhe Liban. Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme. Afërsisht 18.000 persona janë vrarë nga tërmetet e fuqishme që kanë goditur shtetin në vitin 1999.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU