Zgjerimi i qeverisë, ASh: Marrëveshja drejt finalizimit
Aleanca për shqiptarët dhe LSDM-ja...

Aleanca për shqiptarët dhe LSDM-ja po përmbyllin bisedimet rreth koalicionit qeverisës. Burime brenda partive përkatëse thonë për TVM2 se është arritur dakordësi për çështjet programore dhe pjesën më të madhe të kulaçit qeverisës. Sipas tyre, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë do t’i takojnë ASh-së, ndërkohë po diskutohet edhe dikasteri i Punës dhe Politikës Sociale dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike.
Mohojnë zërat për emra konkret për ministra.
“Marrëveshja pritet të finalizohet, më së voni, deri të mërkurën.”- njoftojnë nga ASh.
Sali: Do respektoj marrëveshjen politike
Edhe Alternativa është treguar bashkëpunuese në këtë proces. Ministri i Shëndetësisë nga radhët e kësaj partie, Bekim Sali, thotë se do të respektojë marrëveshjen politike.
“Nëse partitë politike merren vesh që unë të mbetem, do të mbetem. Nga ana tjetër, lideri i partisë sime z. Afrim Gashi e ka lejen dhe përkrahjen time maksimale, kur e vlerëson se duhet të jepet kjo pozitë, unë s’do të jem ministër. Është shumë me rëndësi, edhe një javë po të jeni ministër, duhet ta bëni punën në maksimum, por edhe 10 vite po të jeni, mos krijoni zonë konfori aty ku jeni emëruar, por ta bëni punën për të cilën jeni emëruar.”, - deklaroi minsitri i shëndetësisë, Bekim Sali.
Jozyrtarisht mësohet se veç Ministrisë së Shëndetësisë, Alternativa nuk heq dorë nga asgjë tjetër. LSDM, e cila sipas projektimeve të këtilla pritet të lëshoj një ministri dhe një pozitë drejtori, konsideron se nuk humb asgjë pasi lëshime do të bëjnë edhe partnerët më të vegjël të koalicionit në favor të LSDM-së.
Kundër këtyre përllogaritjeve më i zëshëm është treguar kreu i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov.
Sipas tij, zgjerimi i shumicës parlamentare dhe Qeverisë me ASH-në është i panevojshëm.
“Me hyrjen e ASH-së në pushtet do të rritet pakënaqësia e partive që aktualisht janë në koalicionin qeverisës. Ne presim të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet dhe më pas do të vendosim nëse edhe më tej do të mbetemi pjesë e pushtetit.”- ka deklaruar Trajanov. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
