Maqedoni
Tërmeti në Turqi, RMV, Shqipëria dhe Kosova të gatshme për ndihmë
06.02.2023 15:50
Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski i shprehu ngushëllime homologut të tij turk presidentit Rexhep Tajip Erdogan...

Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski i shprehu ngushëllime homologut të tij turk presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe familjeve të të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm në Turqi.
“I shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të të vdekurve, presidentit, Recep Tayyip Erdogan dhe popullit turk në këto momente të vështira pas tërmetit të tmerrshëm që goditi Turqinë. Të lënduarve ua uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar presidenti Pendarovski në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Autoritetet e RMV-së njëherit shprehin gatishmërinë për t’u dalë në ndihmë banorëve të Turqisë. Armata e Maqedonisë është e gatshme të ofrojë të gjithë mbështetjen për të ndihmuar në përpjekjet për t’u përballur me pasojat e kësaj fatkeqësie të tmerrshme dhe për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzore, ka thënë ministrja e mbrojtjës, Sllavjanka Petrovska.
Edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura dhe njofton se një grup shpëtimi po niset drejt Turqisë për t’i ardhur në ndihme ekipeve të kërkim-shpëtimit atje.
“I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi.”.
Edhe autoritetet e Kosovës kanë shprehur ngushëllime për jetët e humbura nga tërmeti në Turqi. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova është e gatshme që të ofrojë mbështetjen e nevojshme për Turqinë edhe nëpërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Bashkëndjej me të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti shkatërrues në Turqi. Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe i uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Solidaritet i plotë me popullin e Turqisë. Republika e Kosovës është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme edhe nëpërmjet FSK-së.”, tha Osmani.
“Dhjetë ekipe janë mobilizuar shpejt nga Bullgaria, Kroacia, Çekia, Franca, Greqia, Holanda, Polonia dhe Rumania për të mbështetur ekipet e para në terren.”, thanë në një deklaratë komisionerët e BE-së, Josep Borrell dhe Janez Lenarçiq. Ndërsa Italia, Spanja dhe Sllovakia tanimë i kanë vënë në dispozicion ekipet e tyre për Turqinë. Në këtë çaste të vështira për Turqinë nuk ka munguar edhe solidariteti amerikan dhe shteteve tjera.
GAZMEND REXHEPI
