Moti, nesër priten vërshime të reja

05.02.2015 14:49

Pasojat nga përmbytjet në disa pjesë të vendit do të jenë të shumta. Gjithçka është shkatërruar, fushat e punuara bujqësore, të mbjellat, ndërsa ka rrezik që uji të hyjë edhe nëpër shtëpi...

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve vizitoi vendet kritike. Ai u bëri thirrje banorëve të rrezikuar të jenë të përgatitur për shkak se nesër pritet të ketë reshje të reja të shiut.

“E shfrytëzoj këtë mundësi t’iu bëj apel komunave t’i aktivizojnë shtabet e tyre të krizës dhe të jenë të përgatitur për ditën e nesërme, për shkak se pritet të ketë reshje të reja të shiut. Parashikohet që reshjet të mbërrijnë nivelin prej 30 litrash në sekondë, por do të jetë me intensitet shumë të shkurtër”- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.

Kryetari i Komunës së Novacit informoi se pas intervenimit të djeshëm, ku banorët prenë rrugën për t’i hapur rrugë lumit një udhë të re, gjendja në këtë komunë u stabilizua.

“Niveli i ujit është ulur. Falënderohem për lejen që na e dhanë për ta prishur rrugën rajonale për rrjedhje të ujit. Shumë na shpëtoi ajo, u ul niveli i këtyre ujërave. Këto ujëra janë të drejtuar përmes Ribarcit dhe Negotinës, përmes kanalit të dhjetë, i cili i merr këto ujëra dhe i derdh në lumin Cërna”- tha kryetari i Komunës së Novacit, Lazar Kotevski.

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftoi sot se nesër parashikohen reshje të reja të shiut. Sipas parashikimit, gjatë paradites reshjet priten të jenë intensive në viset perëndimore të vendit, ndërsa në orët e pasdites stuhia e shiut do të zhvendoset në lindje. (Ersan Pajaziti, TVM2)