Botë
Lajçak: BE ka qëndrim për 6 kushtet e Kurtit
06.02.2023 18:12
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë - Serbi...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar takimin e dytë brenda 10 ditëve. Ky takim u zhvillua në Prishtinë, në kohën kur faktori ndërkombëtar ka rritur kërkesat që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Ne diskutuam gjithçka se çka është në propozim dhe në agjendën e dialogut, por baza e diskutimeve është propozimi që unë e kam prezantuar në shtator. Ne kemi diskutuar për këtë çështje dhe e kam informuar kryeministrin se cili është pozicioni ynë, por nuk dua të bëj analiza ligjore, ishte e dobishme të kemi këtë diskutim. Çka dua të përsëris është që gjithçka që është rënë në dakord në dialog, duhet të zbatohet. Kështu arrihet normalizimi.”, - deklaroi emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Kurti: Kosova e pranon planin franko-gjerman
Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe se e sheh atë si bazë të mirë për të ecur përpara. Një gjë të tillë, ai e ka bërë të ditur në një postim në Twitter, pas takimit që pati sot me të dërguarin Special të BE-së për dialogun, Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.
“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti.
Disa pyetje mbi garancitë ndërkombëtare, mekanizmat e zbatimit dhe renditja kohore do të trajtohen së shpejti gjatë bisedimeve në Bruksel, ka thënë Kurti. Sa u përket takimeve të shpeshta me ndërkombëtarët, kryeministri Kurti ka thënë se “Perëndimi s’duhet t’i bëjë presion Kosovës sa i përket formimit të Asociacionit.”
SAFET ADEMI
