Maqedoni
Tërmeti katastrofal, më shumë se 4900 viktima vetëm në Turqi
07.02.2023 10:48
Rëndohet çdo orë e më shumë bilanci tragjik i tërmeteve që kanë goditur dje pjesën juglindore të Turqisë dhe Sirinë...

Rëndohet çdo orë e më shumë bilanci tragjik i tërmeteve që kanë goditur dje pjesën juglindore të Turqisë dhe Sirinë. Presidenti turk Erdogan, ka shpallur 7 ditë zije kombëtare.
Sipas të dhënave të fundit, të shpërndara nga Autoriteti turk për Menaxhimin e Emergjencave dhe Katastrofave Natyrore, janë më shumë se 4900 viktimat vetëm në Turqi, si dhe mbi 14 mijë të plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore. Në qoftë se viktimave turke i shtohen edhe 656 të vdekurit e deritanishëm në Siri, numri total por ende i përkohshëm shkon në më shumë se 4900.
Në pjesën veriperëndimore të shtetit, që kontrollohet nga rebelët, është raportuar se janë vrarë 450 persona dhe qindra të plagosur.
Pamje apokaliptike zgjuan botën këtë të hënë, kur lëkundje të dhunshme të tokës tronditën Turqinë dhe Sirinë, teksa banorët ishin në gjumë. Dridhja e parë 7.8 ballë u regjistrua në orën 4 e 17min me epiqendër në Gaziantep.Një tjetër lëkundje e fortë 7.5 Rihter, në 13 e 24 minuta, u regjistrua pranë qytetit të Kahramanmaras. Sipas studiuesve turq, fuqia e shpërndarë nga lëkundjet e fundit ka qenë e barabartë me 150 bomba atomike.
