Botë
Ndihmë nga e gjithë bota për Turqinë dhe Sirinë
07.02.2023 11:11
Qeveritë nga e mbarë bota kanë ofruar ndihmë për Turqinë dhe Sirinë....

Qeveritë nga e mbarë bota kanë ofruar ndihmë për Turqinë dhe Sirinë. Udhëheqësit e Australisë dhe Zelandës së Re njoftuan një total prej 11.5 milionë dollarësh në ndihmë për viktimat e tërmetit shkatërrues.
Gjatë një konference të përbashkët shtypi në Canberra të martën, kryeministri australian Anthony Albanese tha se vendi do të sigurojë një ndihmë fillestare prej 10 milionë dollarësh humanitare përmes Kryqit të Kuq, Gjysmëhënës së Kuqe dhe agjencive humanitare. Kryeministri i Zelandës së Re Chris Hipkins, i cili është në vizitën e tij të parë shtetërore në Australi, tha se Wellington do të kontribuojë me 1.5 milionë dollarë.
Qeveria pakistaneze ka dërguar një avion me pajisje të ndihmës dhe me një ekip të shpëtimit prej 50 anëtarësh. Ky shtet tha se do të organizojë fluturime ditore për në Siri dhe Turqi duke nisur nga 8 shkurti.
India tha se do të dërgojë dy ekipe të kërkimit dhe shpëtimit, përfshirë edhe qen të trajnuar dhe personel mjekësor.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, bisedoi me Erdoganin dhe i ofroi ndihmë. Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni do të dërgojë një ekip të kërkim-shpëtimit për t’i ndihmuar Turqisë në përpjekjet e saj.
I fundit ishte presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i cili tha se ishte i gatshëm të dërgonte një ekip të kërkim-shpëtimit prej 60 personat si dhe furnizime mjekësore.
Në Damask arrijnë ndihmat e para nga Irani dhe Iraku
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut kanë arritur ndërkohë avionët që transportonin dërgesa ndihme nga Iraku dhe Irani, njoftoi media shtetërore siriane SANA. Ndihma iraniane mbërriti të hënën dhe ndihma irakiane u dorëzua herët në mëngjes të martën me orën lokale. Mahdi Ghanem, një zyrtar në Ministrinë e Jashtme të Irakut, se çdo aeroplan mbante rreth 70 tonë ushqime, pajisje mjekësore, batanije dhe furnizime të nevojshme.
