Migrimi masiv nga Kosova, 5200 nxënës kanë braktisur shkollimin
Migrimi masiv nga Kosova është një dukuri shqetësuese, pasi mbi 10 mijë kosovarë vetëm gjatë janarit të këtij viti kanë migruar fillimisht në Hungari, e më pas edhe në shtetet e tjera evropiane...

Dhe ky numër vazhdon të jetë gjithnjë e më i madh, pasi për çdo natë dhjetëra autobusë të stërmbushur me njerëz, kryesisht të rinj, nisen nga Prishtina, Ferizaji apo edhe nga qytetet tjera të Kosovës, për të kërkuar një jetë më të mirë në ndonjërin nga vendet evropiane.
Madje, dy nga personat që morën këtë udhë kanë vdekur, njëri në shtetin hungarez, e tjetri pas kalimit të kufirit Kosovë-Serbi, në Merdar. Ndërsa edhe më alarmante janë të dhënat e Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës se 5200 nxënës kanë braktisur shkollimin si pasojë e migrimit. Deri më 19 dhjetor 2014, kur ka përfunduar gjysmë vjetori i parë, numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën ka qenë 1 mijë e 300, kurse ky numër, deri më 4 shkurt 2015 ka arritur në 5 mijë e 200 nxënës, bën të ditur Azem Guri, këshilltar politik i ministrit të Arsimit në Qeverinë e Kosovës.
Migrimi po shqetëson edhe Qeverinë e Kosovës, e cila premton angazhim më të madh dhe masa konkrete që qytetarëve t’u krijohen kushte për jetë më të mirë në Kosovë.
“Ne po ballafaqohemi tani me problemin e migrimit edhe të lëshimit të Kosovës, të ikjes nga Kosova nga shumë familje nga, shumë të rinj. Sigurisht se problem më i madh i ikjes është problemi i papunësisë. Ne po bëjmë përpjekje që kushtet që qeveria duhet t’i ofrojë, të jenë më të volitshme se sa kanë qenë deri më tash”- deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës ka iniciuar sot procedurën për faljen e borxheve të qytetarëve dhe bizneseve që kanë ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve publike që nga periudha e pasluftës e deri më 31 dhjetor të vitit 2008.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se edhe pas 31 dhjetorit të vitit 2008 do të shqyrtohet mundësia për të falur edhe ndëshkimet dhe interesin për borxhet që qytetarët dhe bizneset nuk i kanë paguar gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që të krijohet lehtësi për të bërit biznes dhe jetesë më të mirë në Kosovë.
Edhe partitë politike kanë ngritur zërin për marrjen e masave për pengimin e migrimit, për çka AAK-ja e Ramush Haradinajt që nga 26 janari i ka dorëzuar një projektrezolutë Kuvendit të Kosovës, me të cilën kërkohet miratimi i një plani kombëtar për parandalimin e migrimit.
Ndryshe, raportet zyrtare të BE-së për azilkërkuesit kosovarë flasin se në vitin 2014 në 28 shtetet e BE-së kanë kërkuar azil gjithsej 26 mijë e 860 shtetas të Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)
