Botë

Ukrainë, forcat ruse vazhdojnë sulmet

07.02.2023 12:55

Forcat pushtuese ruse po vazhdojnë sulmet përgjatë vijës së frontit në lindje të Ukrainës...

Forcat pushtuese ruse po vazhdojnë sulmet përgjatë vijës së frontit në lindje të Ukrainës, ka bërë të ditur ushtria ukrainase, teksa zyrtarët ukrainas kanë vazhduar të paralajmërojnë se Moska po përgatitet për një ofensivë të re në këtë rajon.
 
Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria ruse ka kryer gjashtë sulme me raketa dhe 24 sulme ajrore, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase. Shtabi, po ashtu tha se ka pasur 75 sulme me artileri, përfshirë një ndaj një objektivi civil në rajonet lindore dhe juglindore të Harkivit, Donjeckut, Dnipropetrovskit dhe Hersonit. 
 
Ushtria shtoi se ka pasur një numër të paspecifikuar të viktimave në mesin e civilëve. Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake në Donjeck, raportoi se një person është vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur si rezultat i granatimeve gjatë natës në rajonin e Donjeckut. Gjatë 24 orëve të fundit, 1.030 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë, pretendoi ushtria ukrainase, por shifrat e tilla është e pamundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.