Maqedoni
Nëntë shtetasit e Maqedonisë së Veriut janë larguar nga zona e prekur nga tërmeti
07.02.2023 14:50
Nëntë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët u gjetën në pjesën juglindore të vendit nga tërmeti i fuqishëm në Turqi...

Nëntë shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët u gjetën në pjesën juglindore të vendit nga tërmeti i fuqishëm në Turqi, janë larguar nga zona e goditur nga tërmeti, ka bërë të ditur ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani. Siç njoftoi Osmani, fillimisht ata do të akomodohen në Ankara, deri në nisjen e tyre për në vend, që është planifikuar të bëhet gjatë ditës së nesërme. Mes tyre janë edhe dy nxënësit e lënduar, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndihen mirë.
“Në ora 2 pas mesnate, diplomati ynë më dërgoi fotografi bashkë me nxënësit tanë. Të gjithë janë shëndosh e mirë dhe tashmë janë nisur drejt Ankarasë, ku sonte do të qëndrojnë aty dhe do të nisen me autobus drejt Shkupit. Kështu që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i lënduari që ka marrë përkujdesje shëndetësore është në gjendje të mirë pa nevojë për ndërhyrje kirurgjike. Të gjithë bashkë janë nisur, tashmë janë rrugës për në Ankara, fotografia tregon se janë në disponim të mirë, edhe pse kuptohet se trauma që e kanë marrë do t’i ndjek, por i presim që të arrijnë në Shkup, pastaj do të kujdesemi për ta.”, - deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Ministria e Punëve të Jashtme thekson edhe njëherë se për çdo pyetje, përfaqësitë tona diplomatike në Turqi janë në dispozicion 24 orë në ditë për të gjitha pyetjet e mundshme, në numrat e telefonit: +905394569710 në Ankara, +905456149777 në Stamboll, dhe + SOS telefon i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shkup 38975273732.
BELINDA KOKA ADEMI
