Botë
Tërmeti në Turqi dhe Siri, rreth 5.000 të vdekur, ende ka njerëz nën rrënoja
07.02.2023 15:08
Numri i viktimave nga tërmeti i djeshëm në Turqi dhe Siri ka arritur në rreth 5.000 persona...

Numri i viktimave nga tërmeti i djeshëm në Turqi dhe Siri ka arritur në rreth 5.000 persona, derisa rajoni është shndërruar në gërmadha. Sipas shifrave të fundit zyrtare, numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqinë jug-lindore është rritur në 3.381, me 20 mijë e 426 të lënduar. Ekipet e shpëtimit në Turqi dhe Siri kanë kërkuar gjatë tërë natës, duke shpresuar të nxirrnin më shumë të mbijetuar nga rrënojat.
“Ne kemi katër persona nën rrënoja. Sadik Saçakli, gruaja e tij, Leyla Saçakli, vajza e tyre Azra Saçakli dhe djali i tyre Furkan Saçakli. Vajza e tyre është rreth moshës 13-14. Djali i tyre është rreth moshës 18-19. Dhe ai (Sadik Saçakli) është në të 60-at e tij dhe gruaja e tij është rreth 54-55 vjeçe.", – tha një i afërm i viktimave të bllokuara nën rrënoja, Salih Saçakli.
GAZETARI: "Kush është brenda?"
BURRI 1: "Babai im, nëna ime, vëllezërit e motrat e mia, hallat e mia."
GAZETARI: "Sa njerëz janë të bllokuar dhe kë po prisni?"
BURRI 2: "Janë gjashtë persona të bllokuar. Një vëlla me gruan e tij dhe fëmijët e tyre, pra nipat e mi."
“Gjithsej 7.840 njerëz janë shpëtuar nga rrënojat, ndërsa 11.022 ekipe kërkimi dhe shpëtimi po punojnë në terren. 338 mijë njerëz të prekur nga tërmeti janë strehuar në konvikte, universitete dhe strehimore.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay.
Për shkak të numri të madh të viktimave, presidenti turk Erdogan ka shpallur 7 ditë zie. Autoritetet dhe organizatat humanitare kanë vendosur mbi 41 mijë tenda për strehimin e personave të mbetur pa kulm mbi kokë, pasi tërmeti ka shkatërruar gjithsej 5.775 ndërtesa. Ndihmë për Turqinë kanë ofruar 65 vende të botës, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën. Në Siri, raportohet se të paktën 1.602 njerëz kanë humbur jetën dhe mbi 2.400 të tjerë u plagosën. Shumica janë strehuar nëpër objekte kulti, manastire, kasha e xhami.
"Në manastir janë më shumë se 750 veta. Të gjithë i kemi pritur dhe i kemi strehuar në të gjitha dhomat e manastirit dhe klasat e fëmijëve. Këtyre familjeve i kemi ofruar të gjitha shërbimet, përveç sigurimit i kemi ofruar mëngjesin, drekën dhe darkën, ngrohje dhe banjo.”, - theksoi mbikëqyrësi i manastirit “El-Frere”, George Sabea.
"Ne e ndjenim tokën sesi dridhej. Lëkundjet po bëheshin gjithnjë e më të forta. Të gjitha gjërat në shtëpi po binin dhe nuk dinim çfarë të bënim në atë moment.", - u shpreh banorja e rrethit Azizyeh, Mary.
"Kur u zgjova, tërmeti filloi të intensifikohej më shumë dhe me frekuencë më të fortë. Ndërtesa filloi të na tundte edhe shkallët. Ne dolëm në rrugë për të parë të gjithë njerëzit që qëndronin në rrugë në një gjendje të mjerueshme.", - tha banorja e rrethit Azizyeh, Ritta Kudsieh.
Ekipet e shpëtimit në të dyja vendet vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar, pasi mendohet se nën rrënoja ka edhe qindra njerëz, por punën po e vështirësojnë temperaturat e ulëta dhe reshjet. Po ashtu, dridhjet e tokës në atë zonë kanë vazhduar, prandaj shumë njerëz e kanë kaluar natën në ambient të hapur. Aeroporti i Stambollit është i mbushur me qindra vullnetarë, shpëtimtarë dhe anëtarë të organizatave joqeveritare nga 65 vende të botës, për të ndihmuar në gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja dhe të lënduarit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
