Shqipëri, 17 mijë hektarë tokë të përmbytura

05.02.2015 15:44

Edhe pse sot nuk ka pasur reshje shiu dhe as përmbytje, sërish 17 hektarë tokë janë të përmbytura, si dhe qindra bagëti...

Banorët janë ende në ankth për sa kohë atyre nuk u është thënë zyrtarisht për ndonjë dëmshpërblim, ndërsa gjatë gjithë ditës së sotme ekspertët veterinerë janë marrë me groposjen e bagëtive të ngordhura, si dhe me dezinfektimin e zonave të rrezikshme. Një masë e tillë erdhi fill pasi ministri Beqa deklaroi nga Vlora se ekziston rreziku për një epidemi për shkak të kafshëve të ngordhura.

Situatën mjaft të rëndë e ka inspektuar nga afër edhe presidenti, Bujar Nishani, i cili deklaroi se nuk ndodhet pranë banorëve për politikë, por për t’u solidarizuar me humbjet e tyre.

Kryeministri Rama ka braktisur seancën plenare për të vizituar edhe një herë banorët e zonave të përmbytura, ku është shprehur se situata erdhi si pasojë e keqqeverisjes Berisha.

Ndërsa çështja e përmbytjeve ka qenë argument kryesor në seancën e sotme parlamentare, ku opozita dhe mazhoranca kanë shkëmbyer replika të ashpra. PD e ka akuzuar qeverinë se nuk e shpallë gjendjen emergjente për të mos dëmshpërblyer banorët. (Luljeta Ndoka, TVM2)