Botë
Vuçiq: Njohja e Kosovës nga Serbia vetëm një ëndërr
07.02.2023 15:41
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, para takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian...

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, para takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka publikuar një video të shkurtër në rrjetin social Instagram, në të cilën pa dhënë asnjë detaj tjetër ka thënë: “Njohje reciproke? Ëndërroni.”.
“Jemi fajtorë sepse kemi mbrojtur Serbinë, mbrojmë Serbinë dhe do ta mbrojmë. Njohje reciproke. Ëndërroni.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb, Vuçiq, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në Twiter ka shkruar se ka pasur një “bisedë të hapur dhe miqësore.”.
“Një bisedë e hapur dhe miqësore me Miroslav Lajçak. Kur them e hapur, me të vërtetë e mendoj këtë. Gjithçka më keni kuptuar”, shkroi Vuçiq në Instagram pas takimit në Beograd.
Lajçak: Do të vazhdojnë diskutimet tona
Pas takimeve që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak me një shkrim të tij në Twiter ka lënë të kuptohet se pasi Kosova e pranoi propozimin e EU, do ketë takime të niveleve të larta.
“Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi në parim propozimin e EU. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Twiter pas takimit të së hënës me të dërguarin e posaçëm të BE në lidhje me dialogun Prishtinë - Beograd, tha se propozimi konsiderohet si një bazë mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara. Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, që ka mbështetjen edhe të ShBA-së që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.
SAFET ADEMI
