Kryqi i kuq, ndihma humanitare për popullin turk pas tërmetit
Qytetarët po tregojnë humanitetin e tyre....

Qytetarët po tregojnë humanitetin e tyre ndaj popullit turk nga tërmeti katastrofal ku pati shumë viktima. Telefonatat në Kryqin e Kuq po bien pa pushim.
Nga Kryqi i Kuq i RMV-së thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me atë të Turqisë prej ku marrin dhe informacione për gjërat më të nevojshme që u duhen.
“Është shumë me rëndësi që të dihet dërgimi i ndihmave humanitare materiale në procedura të caktuara në doganë ndërmjet shtetit. Si për fillim jap të dhëna që gjithçka që eksportohet në formën e ndihmës humanitare duhet t'i nënshtrohet deklarimit të tij, që do të thotë se duhet të ketë prejardhjen, të ketë specifikimet dhe gjithçka tjetër në mënyrë që të arrijë në destinacionet e dëshiruara. Ndihma humanitare që mbledhet përmes punkteve nuk i plotëson të gjitha kriteret, do të ketë problem dhe vështirësi dhe e gjitha kjo të eksportohet në mënyrë formale dhe legale.”, - theksoi sekretar gjeneral i Kryqit të Kuq të RMV-së, Sait Saiti.
Mbledhja e fondeve është mënyra më e shpejtë dhe më efikase për të ndihmuar njerëzit, thonë nga Kryqi i Kuq i RMV-së. Në numrin 143 400, për të dy operatorët telefonikë, qytetarët mund të dhurojnë nga 100 denarë në çdo telefonatë, duke i ndihmuar drejtpërdrejt grupeve më të cenueshme.
Në punktet e improvizuara qytetarët dhurojnë ushqime, veshmbathje, mjete higjienike, batanije sipas mundësive të tyre që t’i tejkalojnë pasojat nga tërmeti katastrofal në Turqi dhe Siri. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
