Kuvend, KPPS mbështet ndryshimet për asistencë personale

07.02.2023 16:09

Anëtarët e komisionit për punë dhe politikë sociale...

Anëtarët e komisionit për punë dhe politikë sociale në Kuvend njëzëri përkrahën ndryshimet dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen sociale, me procedurë të shkurtuar. Me ndryshimet në këtë ligj të propozuar do të hiqej kufiri i sipërm i moshës 65 vjeç, i cili u vendos me hyrjen e ligjit të ri të mbrojtjes sociale, i miratuar në vitin 2019, teksa është kërkesë edhe e kësaj kategorie të qytetarëve në nevojë, thonë nga VMRO-DPMNE propozues të ndryshimeve .

“Me ndryshimet e propozuara që ne po kërkojmë, të rriturit mbi 65 vjeç, pritet të marrin shërbim nga një asistent personal deri në 80 orë gjatë një muaji. Për zbatimin e këtij ligji duhet të sigurohen mjete shtesë nga buxheti, po ashtu dua të theksoj se kjo kërkesë është pikërisht nga personat me aftësi të kufizuara më të rënda dhe verbëri totale, persona që kanë kaluar moshën 65 vjeç dhe duan të përdorin këtë shërbim, por nuk munden për shkak të kufirit që është vendosur.”, - deklaroi Angelina Petkova nga VMRO-DPMNE.

Edhe nga LSDM konsideruan se bëhet fjalë për avancimin e të drejtave të kësaj shtrese të qytetarëve që kanë nevojë.

“Po do ta mbështesim këtë propozim-ligj. Ne besojmë se me atë që ju propozoni të fshihet kufiri prej 65 vjeç, do të thotë avancim i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, sepse siç thashë ata janë mësuar deri në atë moshë me asistencë personale, e që përfshin ndihmën dhe mbështetjen në kryerjen e aktiviteteve bazë nga jeta e përditshme.”, - theksoi Zhaklina Lazarevska nga LSDM.

Për ndryshimet e propozuara që synojnë përmirësimin e kushteve, për shfrytëzimin e shërbimit të asistencës personale, mendim pozitiv ka dhënë edhe ekzekutivi, theksoi Lazarevska.

Ndryshe me dispozitën e propozuar do të mundësohet që si përdorues të këtij shërbimi të përfshihen fëmijët mbi 6 vjeç dhe të rriturit, pavarësisht kufirit të moshës së tyre, si dhe parashikohen kushte të barabarta për përdorimin e këtij shërbimi. (Naim Ramadani, TVM2)