Solemniteti për Goce Dellçevin, Demerxhiev: Mungoi vullneti politik nga RMV
Ministri i punëve të brendshme të Bullgarisë, Ivan Demerxhiev....

Ministri i punëve të brendshme të Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, ka akuzuar autoritetet e vendit për mungesë të vullnetit politik që të pranojnë 200 shtetas bullgarë në kufi për të bërë homazhe figurës historike, Goce Dellçev.
Demerxhiev thotë se veprimet e tilla, shtuar edhe sulmet ndaj klubeve bullgare mund të shkaktojnë kundër reagime që shkojnë në dëm të eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut.
“Është e pakëndshme në këtë rast se nuk gjetën forcën dhe vullnetin që të zgjidhin një pjesë të problemeve të cilat i potencova, me çka nuk lejuan që shumë qytetar bullgar të bëjnë homazhe në varrin e Goce Dellçevit. Unë i kam dhënë sinjal të qartë Maqedonisë së Veriut se sulmet ndaj klubeve bullgare, gjuha e urrejtjes, sulmi ndaj Hristijan Pendikov shkaktojnë provokime të cilat prodhojnë kundër reagime. Nëse ne nuk ndërpresim këtë zhvillim, kjo do të shndërrohet në lavë dhe do të pengojë qëllimet që kanë dy shtetet.”, - deklaroi ministri për punë të brendshme, Ivan Demerxhiev.
Kovaçevski: Eventi ishte dinjitoz dhe i qetë
Por, kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski vlerëson se organizimi për shënimin e ditës së lindjes së figurës së Goce Dellçevit ishte dinjitoz dhe i qetë, duke iu mundësuar të gjithëve të jenë pjesëmarrës bazuar në protokollet e parapara në koordinim me NATO-n. Kovaçevski komentoi edhe ndalesën e shtetasve bullgarë në kufi.
“Mbarë Evropa dhe bota mundi të shihte se çfarë ndodhi në kufi, përderisa policia kufitare ofendohej. Konisderoj se sikurse policia kufitare, por edhe organet gjyqësore kanë reaguar me kohë në përputhje me ligjet dhe konventat në pjesën e mbrojtjes së rendit në shtet. Shtetasit bullgar nuk janë në Maqedoni dhe kanë marrë dënimet për sjelljen e tyre. Disa prej tyre u ndalohet hyrja në shtetin tonë për një kohë të caktuar, ndërkohë të tjerët janë gjobitur dhe të njëjtat duhet t’i paguajnë.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë sa i përket strehimit të Hristijan Pendikov në Bullgari pas sulmit ndaj tij, duke i dhënë shtetësinë dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor në Sofje, Kovaçevski thotë se kjo është vendim i brendshëm i fqinjit lindor, në të cilin Maqedonia e Veriut nuk mund të ndërhyjë. (Meral Ismaili, TVM2)
