Maqedoni

Zgjerimi i qeverisë, Taravari: Sot ose nesër finalizohet marrëveshja

07.02.2023 17:37

Kreu i ASh-së, Arben Taravari njofton se negociatat për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në koalicionin...

Kreu i ASh-së, Arben Taravari njofton se negociatat për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar janë drejt përfundimit, madje marrëveshja finale mund të prezantohet të mërkurën. Shumica e çështjeve janë mbyllur dhe për “shumë punë” kemi rënë dakord, njoftoi Taravari.
 
“Jemi nga përfundimi. Mund të themi se një pjesë dërmuese e marrëveshjes është arritur. Besoj se sot ose nesër, finalizohet përfundimisht marrëveshja dhe atëherë do ta bëjmë publike edhe qeveria edhe ASh-ja.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
 
Kovaçevski: Ka progres të mirë të negociatave
 
Progresin në negociata e konfirmon edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski. Veç angazhimit për pranimin e ASh-së në koalicionin qeverisës, Kovaçevski nuk dëshiron të humbasë partnerët e tjerë.  
 
“E di se ka progres të mirë të negociatave, në pjesën e përcaktimeve programore dhe kuptohet në pjesën e ekipimit kadrovik. Edhe partia Aletnativa, po ashtu është partner i rëndësishëm i qeverisë. Sot dhe nesër do të ketë bisedime edhe me partinë Alternativa, me z. Gashi dhe kolegët e tij. Unë shpresoj se do të ketë epilog pozitiv që së bashku të vazhdojmë me ndërtimin e koalicionit,  i cili do të angazhohet për Maqedoni evropiane dhe e cila do të sigurojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2030.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Sa i përket ndarjes së dikasterëve, Kovaçevski thotë se nuk ka qenë ky problemi i negociatave, pasi sipas tij, marrja e dikasterëve nënkupton edhe përgjegjësi. 
 
Të dy palët refuzojnë të japin detaje për ndarjen e ministrive dhe drejtorive dhe as për zgjidhjet kadrovike deri në arritjen e plotë të marrëveshjes, e cila pritet të finalizohet të mërkurën. 
 
SHPËTIM NUREDINI