Hollande dhe Merkel, iniciativë të re paqeje në Ukrainë
Intensifikimi i luftimeve në juglindje të Ukrainës mes forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë ka çuar në Kiev presidentin francez, Francois Hollande dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel...

Ata në Ukrainë kanë shkuar me një iniciativë të re paqeje. Ndërsa planin e kompromisit të premten do t’ia prezantojë edhe presidentit rus, Vladimir Putin.
"Ukraina është në luftë. Armë të rënda po përdoren në atë vend e civilë po vriten përditë. Propozimi i ri i paqes bazohet në integritetin territorial të Ukrainës dhe mendoj se mund të jetë i pranueshëm nga të gjithë"- deklaroi presidenti i Francës, Francois Hollande.
Ndërkohë, Kremlini ka bërë të ditur se Putin do të takohet nesër me të dy liderët evropianë për të diskutuar se si t'i jepet fund sa më shpejt që të jetë e mundur luftës civile në juglindje të Ukrainës. I pyetur për mundësinë e armatosjes së Ukrainës, Hollande ka thënë se tani për tani po shqyrtohet mundësia tjetër, diplomacia. Megjithatë, kjo nuk është një rrugë që do të zgjasë pafundësisht, paralajmëroi presidenti francez.
Luftimet e ashpra në Ukrainë kanë sjellë në Kiev edhe sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili ka takuar presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenkon. Ndërkohë, veprimet agresive të Rusisë e bëjnë të domosdoshme zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Shefi i NATO-s ka kërkuar nga Rusia që ta përdor të gjithë ndikimin e saj tek separatistët në lindje të Ukrainës, për t’i nxitur ata që ta respektojnë marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Minsk, e cila, sipas tij, në vazhdimësi është shkelur. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
