“Gazeta Zyrtare”: Qytetarët me të madhe humbin dokumentet

05.02.2015 17:36

Pa dashje apo me dashje, shumë shpejt na ndodh të mbetemi pa ndonjë dokument zyrtar në dorë...

Numri i dokumenteve të humbura në vend për vitin e kaluar ka arritur në 30 mijë raste. Në “Gazetën zyrtare” të  Maqedonisë po paraqiten shumë kërkesa, mirëpo në të shumtën e rasteve është treguar se qytetarët humbin me të madhe letërnjoftimet, kartelat elektronike shëndetësore dhe pasaportat.

“Në nivel vjetor, në “Gazetën zyrtare” kemi rreth 30 mijë raste të paraqitura për dokumente  të humbura. Nga të gjitha kërkesat, rreth 18 deri më 20 mijë janë  raste për letërnjoftime të humbura. Gjatë vitit të kaluar janë paraqitur rreth 6 mijë kartela elektronike të humbura nga ana e qytetarëve dhe rreth 3 mijë për  pasaportat. Rastet e diplomave të humbura arrijnë deri në 2000, ndërsa rastet për  patentë shoferi dhe dëftesa shkollore të humbura janë rreth  1500”- deklaroi drejtori i NP-së “Gazeta zyrtare”, Toni Trajanov.

Në “Gazetën zyrtare”, përveç dokumenteve zyrtare të qytetarëve shpallen edhe ligjet dhe aktet nënligjore të vendit, mirëpo kjo tanimë disa vite me radhë po kryhet me një mënyrë shumë të përthjeshtësuar.

Bashkëpunimi i “Gazetës zyrtare” të Maqedonisë me Ministrin e Punëve të Brendshme rezulton me thjeshtëzimin e procedurës për shpalljen e dokumenteve të humbura.            

Këto dy institucione u kanë mundësuar qytetarëve që t’i paraqesin dokumentet e humbura nëpër  stacionet policore. Tani më një vit kjo procedurë kryhet me sistemin njësportelesh.

Ndërkohë ,”Gazeta Zyrtare”është në procedurë e sipër të arrijë marrëveshje edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Fondin Pensional, për të implementuar të njëjtin sistem njësportelesh për thjeshtëzimin e procedurës për paraqitjen e dokumenteve të humbura  në këta dy dikastere.           

“Kjo  është shumë pozitive për qytetarët  të cilët jetojnë në vendbanime ku nuk ka përfaqësi adekuate  të “Gazetës zyrtare” të Maqedonisë. Tani me këtë  sistem është thjeshtëzuar dukshëm procedura e lajmërimit të dokumenteve zyrtare dhe me këtë projekt gjithçka mund të kryet në sportelet policore”- tha Marija Jakovlevska  nga MPB. 

“Në këtë periudhë të vitit jemi në bisedime me Fondin Pensional dhe shpresojmë se  shumë shpejt implementimi i të njëjtës procedurë si me MPB-në do të bëhet edhe me Fondin Pensional. Në një të ardhme të shkurtër të gjitha kartelat shëndetësore të humbura do të mund të paraqiten dhe zëvendësohen në të njëjtën kohë dhe  vend, në Fondin Pensional”- tha drejtori i NP-së “Gazeta zyrtare”, Toni Trajanov.

Çmimi i paraqitjes së dokumenteve në “Gazetën zyrtare” të Maqedonisë qytetarëve do t’iu  kushtojë  prej 30 deri më 60 denarë. Një procedurë që shumë pak po përdoret nga ana e qytetarëve është paraqitja e rasteve përmes sistemit elektronik në ueb faqen e Gazetës së Maqedonisë. (Rexhep Qamili, TVM2)