Shpërthim në fabrikën e gazit, tre të vdekur dhe dy të lënduar në Bogdanc
Tre punonjës kanë gjetur vdekjen, ndërsa dy të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri i cili shpërtheu sot në mëngjes në Fabrikën për bombola gazi "Ballkan gaz", në qytezën Bogdanc...

Sipas njohurive të para, zjarri ka shpërthyer sot rreth orës 08:50 të mëngjesit në repartin për mbushjen e bombolave të gazit, ndërsa shpërthimi i fuqishëm ka shkaktuar shqetësim te popullata lokale.
“Jetoj në afërsi rreth 500 metra që këtu, u ndje një detonacion, vrapuam menjëherë dhe pamë që dilte shumë flakë. Pas rreth 20 minutash pati edhe një eksplodim tjetër”- deklaroi një qytetar.
“Eksplodim të madh kishte, e dëgjuam nga shtëpia dhe menjëherë erdhëm”- tha në qytetar.
“Tmerr, sikur kur shpërthen një bombë”- theksoi një qytetar.
Njëri prej të punësuarve, i cili ka marrë djegie dhe lëndime të rënda, është dërguar në klinikat e Shkupit, ndërsa punonjësi tjetër është me lëndime më të lehta dhe ndodhet në spitalin lokal.
“Rreth orës 12:30 minuta kemi pranuar një pacient të moshës 40 vjeçare me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë. Gjendja e përgjithshme e pacientit është e mirë, por ndodhet në Repartin për Kurim Intensiv nga shkaku se lëndimet i ka në pjesën e fytyrës dhe të njëjtat mund të shkaktojnë problem në sistemin e frymëmarrjes”- deklaroi mjekja, Jasminka Çabukovska.
Prokuroria themelore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet.
“Hetimi akoma po vazhdon, po ndërmerren të gjitha masat që të vërtetohen shkaqet e shpërthimit”- tha prokurorja, Vasilka Sadikovska Kovaçeva.
Shërbimi i zjarrfikësve e ka lokalizuar zjarrin, ndërsa me rastin po merren akoma autoritetet kompetente. (Naim Ramadani, TVM2)
