Botë

Luftë me kohën për të mbijetuarit, mbi 11 mijë viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri

08.02.2023 12:46

Numri i të vdekurve nga dy tërmetet e mëdha në kufirin turko-sirian ndryshon me shpejtësi...

Numri i të vdekurve nga dy tërmetet e mëdha në kufirin turko-sirian ndryshon me shpejtësi teksa  shumë  njerëz ende besohet se janë nën rrënoja. Në dëshpërim të thellë, njerëzit vazhdojnë punën për të gjetur të mbijetuar. Temperaturat  e ulëta, vështirësojnë punën e shpëtimtarëve nga vendi e bota, që luftojnë me kohën për të gjetur të mbijetuar.
 
“Ka shumë rrënoja. Për momentin, qentë tanë e kanë shumë të vështirë të zbulojnë erërat e ndryshme që mund të vijnë brenda ndërtesave.”, - deklaroi Cyril Chauvo nga Agjencia e Mbrojtjes Civile e Qeverisë franceze.
 
“Në orët e fundit arritëm të shpëtojmë tre persona që u shtruan në spital, një djalë në fakt ishte 45-46 orë nën rrënoja dhe e shpëtuam. Të gjithë janë shumë të lodhur dhe të rraskapitur, por të gjithë po bëjnë më të mirën.”, - theksoi vullnetari nga Gjermania, Simon Gutzet. 
 
Lajmet e mira nuk mungojnë.  56 orë pas tërmetit, një djalë u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese të shembur, në Malatya. Në Hatay, një djalë 8 vjeçar u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese të shembur pas rreth 52 orësh. Yigit Cakmak u nxor nga rrënojat i gjallë dhe u dërgua te nëna e tij.  Ekipet e shpëtimit kanë shpëtuar edhe një vajzë  1 vjet e gjysmë në Kahramanmarash. 
 
Të dy prindërit e Masal  i kanë mbijetuar tërmetit e u ribashkuan në spital. Të martën, mbrojtja civile siriane shpëtoi një fëmijë të bllokuar për më shumë se 40 orë nën rrënojat e një shtëpie të shembur në Salqin, të Idlibit. Por, mijëra të tjerë nuk e kishin këtë fat. Mes të vdekurve në Kahramanmarash, u gjetën edhe trupat e një familjeje tre anëtarëshe me origjinë shqiptare. Në asnjë nga të dy shtetet nuk ka shifra zyrtare për të zhdukurit. Në Siri, operacionet e shpëtimit janë ndërlikuar për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor dhe infrastruktura është shkatërruar nga lufta civile që po zgjat prej 12 vitesh.  
 
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vizituar Kahramanmarashin, Hatajin dhe  Pazarcikun, aty ku pasojat janë katastrofale.
 
“Aktualisht konfirmohen 8.574 të vdekur, 49.133 të plagosur dhe 6.444 godina të shembura. Nuk do të lejojmë që njerëzit tanë të qëndrojnë në rrugë. Pas një viti do ngremë godinat e reja. Jemi gati me të gjitha kapacitetet tona hotelerike për strehimin e njerëzve, po bëjmë çdo gjë për t’u garantuar ushqim, veshmbathje dhe transportimin në zonat e tjera. Ministria e Financave ka përcaktuar buxhetin për të nisur verifikimet e dëmeve dhe do të japim 10 mijë lira për çdo familje të prekur nga tërmeti, në mënyrë që të përballojnë këtë situatë.”, - deklaroi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
 
Me gjithë punën e jashtëzakonshme të ekipeve të emergjencës dhe premtimeve të presidentit, shumë prej qytetarëve të prekur kanë shprehur zemërim për mungesën e ndërhyrjes së qeverisë.
 
“Ne kemi tre ditë të uritur. As komuna dhe as të tjerët nuk na kanë ndihmuar ende. Po thërras autoritetet, duam që zëri ynë të dëgjohet!”, - u shpreh Yasar Magara. 
 
“Nuk kemi çadër, nuk kemi sobë për ngrohje, nuk kemi asgjë. Fëmijët tanë janë në gjendje të keqe, të gjithë jemi në shi dhe të ftohtë. Ne nuk vdiqëm nga uria dhe tër
meti, por do të ngrijmë deri në vdekje nga i ftohti. Nuk duhet të jetë kështu. Askush nuk po dërgon ndihmë!”, - theksoi Aysan Kurt.
 
Rreth 23 milionë vlerësohet të jenë prekur nga dy lëkundjet dhe pasgoditjet e shumta që goditën rajonin. Një numër i madh vendesh vazhdojnë të dërgojnë  ekipe të specializuara shpëtimi, si dhe ndihma humanitare në zonat e prekura. Pothuajse 25,000 punëtorë shpëtimi janë vendosur tashmë në zonat e tërmetit në Turqi , në Siri gjërat ecin pak më vështirë për shkak të situatës politike atje.
 
GAZMEND KURTISHI