Maqedoni
Solidarizim me Turqinë, mbi 150 punonjës shëndetësorë dalin vullnetarë
08.02.2023 15:25
Më shumë se 150 punonjës shëndetësorë janë paraqitur vullnetarisht....

Më shumë se 150 punonjës shëndetësorë janë paraqitur vullnetarisht për të shkuar për të ndihmuar në zonat e shkatërruara nga tërmeti katastrofal në Turqi. Ministri Bekim Sali, pret edhe më shumë aplikime dhe pas përgatitjes, lista e vullnetarëve do t'i ofrohet qendrës për menaxhim me kriza. Më pas autoritetet turke do të informohen për resurset njerëzore dhe materialet që kemi në dispozicion, tha Sali. Po ashtu ofrohen edhe dy furgona të specializuar për terapi intensive të kompletuar me dy ekipe mjekësh, shoferë dhe infermiere.
“Do të doja që ata të niseshin dje, por ne respektojmë të gjitha protokollet përmes QMK-së dhe NATO-s. Jemi në komunikim me QKM-në në Turqi dhe presim përgjigje prej tyre se çfarë u duhet konkretisht, që ne të nisemi. Ne jemi gati.”, - deklaroi ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
Sali potencoi se është dorëzuar edhe një listë e barnave të ofruara nga kompanitë dhe donacionet për të cilat pritet një përgjigje nga autoritetet turke. Tashmë në Turqi kanë shkuar edhe ekipet e zjarrfikësve të qytetit të Shkupit, Tetovës, Strumicës, Manastirit dhe Shtipit.
VLORA LATIFI TOPOJANI
