Maqedoni
Ndërron jetë pacienti me fibrozë cistike, kishte dy vite që priste ilaçin e premtuar
08.02.2023 16:00
Një nga pacientët më rëndë të sëmurë me fibrozë cistike, Bllagojçe Ilievski humbi betejën më të rëndësishme me këtë sëmundje....

Një nga pacientët më rëndë të sëmurë me fibrozë cistike, Bllagojçe Ilievski humbi betejën më të rëndësishme me këtë sëmundje. Ai ishte një nga pacientët që foli me zë të lartë për problemin e tyre dhe kërkoi që të blihej medikamenti “Trikafta”që u mundëson një jetë normale.
“Revolta, indinjata dhe shqetësimi ynë janë jashtëzakonisht të mëdha, veçanërisht sepse si Asociacion për Fibrozën Cistike, e kemi kërkuar ilaçin që nga viti 2020 dhe kemi apeluar vazhdimisht për urgjencën e futjes së terapisë moduluese moderne”, thuhet në reagimin e shoqatës së të sëmurëve me Fibrozë Cistike.
Ilaçi për fibrozën cistike, Sali nuk jep afat kur “trikafta” do arrijë në vend
Ministri i shëndetësisë Bekim Sali, thotë se nuk ka afat kohor se kur ilaçi “Trikafta” do të arrijë në vend, që përdoret si terapi për 30 pacientët me fibrozë cistike të lehtë dhe të rëndë, pasi që kompetenca nuk është tërësisht e Ministrisë së Shëndetësisë, por e 3 institucioneve. Shtoi se po punohet në këtë drejtim dhe janë detektuar nenet e 3 ligjeve, të cilat duhet të ndryshohen për të zhvilluar bisedimet me prodhuesit për çmim më të mirë dhe shkurtimin e kohës për procedurën e furnizimit publik.
“Mendoj se në pjesën buxhetore nuk do të ketë problem, sepse fondi ka buxhet dhe mund të bëjë një ribalanc të brendshëm që do të sigurojë sasinë e nevojshme për këto barna. Për informacionet që qarkullojnë se do të sigurohen doza për 8 pacientë, më lejoni të theksoj se tendenca jonë është që të pajisen 30 pacientë me terapi, ata me formë të rëndë dhe gjysmë të rëndë të sëmundjes.”, - u shpreh ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
Në vend numërohen rreth 130 pacientë me fibrozë cistike, të cilët ka kohë që luten dhe protestojnë që shteti t’u sigurojë ilaçin modern “Trikafta”, i cili u përmirëson ndjeshëm jetën.
LEUNORA KALIQI
