1.000 raste të detektuara me kancer të gjirit, të diagnostifikuarat apelojnë për kontrolle të hershme

08.02.2023 16:39

Vendi ynë kryeson listën në Evropë....

Vendi ynë kryeson  listën në  Evropë sa i përket grave të operuara nga kanceri i gjirit me 1.000 raste të detektuara në vit. Detektimi i hershëm shpëton jetën, thotë për TVM 2 pacientja e operuar, e cila fton edhe gratë tjera çdo muaj të bëjnë vetëkontroll për të kapur sa më shpejtë ndryshimet eventuale.

“Unë gjatë larjes ndjeva se kam gungë në gji dhe nga frika iu drejtova mjekut amë, i cili më udhëzoi në mamografi, ku u konstatua problemi. U bëj thirrje grave për vetëkontroll të gjinjve, nëse kanë gungë, dhimbje apo çdo ndryshim tjetër të kërkojnë ndihmë mjekësore sa më shpejtë.”, - tha një paciente.

Shoqata “Ezra”: 100 pako për pacinetet e sapo-operuara

Për të ofruar përkrahje psikologjike, por edhe ndihmesë grave të operuara në kuadër të ditës botërore të luftës kundër kancerit, shoqata “Ezra”, ndau njëqind pako për kujdes për pacientet e sapo operuara nga kanceri i gjirit.

“Do të vazhdojmë me karavanin e ligjëratave informative drejt të gjitha komunave së bashku me mjekët, ku pacientë do të kenë mundësi të kenë qasje direkte me pyetje për ta.”, - theksoi Liridona Beqiri nga shoqata “Ezra”.

Kirurgët: Informim  në kohë, kontrolle në kohë

Shqetëson fakti se shumë femra në moshë të re diagnostifikohen me kancer .

“Është faktori i ndryshimeve të jashtme, mënyra e të jetuarit, dinamika, ushqimi dhe normalisht edhe gjenetika luan rolin e vet. Të gjithë duhet të jenë të informuar fillimisht, jo të alarmuara, sepse ajo nxit inercion për t’u paraqitur te mjeku për të kërkuar shërim. Për fat të keq mbajmë ende bajrakun e rasteve me kancer në faza shumë të avancuara.”, - u shpreh drejtori i klinikës për kirurgji torakale, Nexhati Jakupi.

Trajtimi i rasteve është kirurgjikal dhe onkologjik, por nuk duhet harruar që diagnostifikimi i hershëm shpëton jetë, u tha me këtë rast. (Flutura Rahimi – Latifi, TVM2)