Maqedoni

Ndryshimet ligjore për bastoret dhe kazinot, ALF-AB: Po na mbyllët, 10.000 njerëz mbeten pa punë

08.02.2023 17:54

Asociacioni i organizatorëve të lojërave të fatit është kundër propozim-ligjit për lojërat e fatit...

Asociacioni i organizatorëve të lojërave të fatit është kundër propozim-ligjit për lojërat e fatit me të cilin ndalohet që bastoret dhe kazinot të jenë më afër se 500 metra nga objektet shkollore. Nëse miratohet ky propozim-ligj, kjo veprimtari rrezikon të humbas shumë, të mbyllet dhe të mbesin mijëra qytetarë pa punë, thonë nga asociacioni. Qëndrim të ngjashëm kanë edhe nga Asociacioni i bastoreve.
 
“Nuk do të ndalemi këtu, sepse pas nesh qëndrojnë 10 mijë të punësuar dhe jemi të obliguar t’i ruajmë vendet e tyre të punës.”, - deklaroi Goran Stoimenov nga Asociacioni i organizatorëve të lojërave të fatit.
 
“Ligjet e tilla restriktive është e dëshmuar se sjellin efektin e kundërt. As nuk do të pakësohet luajtja e lojërave të fatit as rreziqet të cilat mund t’i sjellin. Në këtë mënyrë do të hapet një fushë e re për profit ilegal dhe rrezik për ata që luajnë.”, - theksoi kryetari i asociacionit të bastoreve, Vasko Ilievski.
 
Lëvizja antibixhoz: E vonuan 6 vite, më në fund po shpëtojnë fëmijët
 
Ndryshe nga Asociacionet e lartpërmendura, Lëvizja "Anti- bixhoz" përshëndet ndryshimet ligjore që i kanë kërkuar një kohë të gjatë. Thonë se do të insistojnë në zbatimin e tij të tërësishëm. Ata  kërkojnë nga qeveria të mos bjerë pre e kërcënimeve të asociacioneve të lojërave të fatit, por të shikojnë interesin e popullit. 
 
“Edhe pse këto lojëra nuk sjellin fat, pushteti nuk e ka parë të arsyeshme, që për gjashtë vite të sjell një ligj special për këtë. Më në fund u vetëdijësuan deputetët dhe pushteti, që të sjellin një ligj në interes të qytetarëve. Ky ligj, do t’i pastron nga qytetet dhe nga fëmijët tonë lojërat e fatit. Është shumë e vlefshme që 500 metro, vijë-ajrore nga shkollat, ku përfshihen të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut dhe është interes shoqëror. Ne do ta ndjekim me vëmendje zbatimin e ligjit edhe pse gjithmonë ligjet e Maqedonisë së Veriut, janë gjithmonë shumë të mira në letër, por në teren të pazbatueshme. Ne do bëjmë presion që ky ligj të zbatohet.”, - u shpreh Jushi Emurllahu nga lëvizja “Anti-bixhoz”.
 
Propozim-ligji për lojërat e fatit, i cili është në shqyrtim publik ka për qëllim të mbrojë dhe t’i mbajë sa ma larg të rinjtë nga kjo dukuri negative. Ky ligj mes tjerësh parashikon edhe nevojën e përforcimit të kritereve dhe kushteve për dhënien e licencave, si dhe saktësimin e asaj që një shoqëri tregtare me licencë organizon lojërat e fatit.  
 
REXHEP QAMILI