Maqedoni

Zgjerimi i qeverisë, pritet vendimi përfundimtar i Alternativës

08.02.2023 18:15

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kreu i ASh-së Arben Taravari, ende nuk kanë zyrtarizuar...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kreu i ASh-së Arben Taravari, ende nuk kanë zyrtarizuar marrëveshjen për bashkëqeverisje të paralajmëruar për ditën e mërkurë. Burime brenda partive përkatëse njoftojnë se bisedimet vazhdojnë dhe se marrëveshja pritet të finalizohet pasi LSDM të konfirmojë qëndrimet përfundimtare të partnerëve të koalicionit.
 
Nga LSDM thonë se Kovaçevski do të pret deri të enjten vendimin e kreut të Alternativës, Afrim Gashi, pasi i është kumtuar oferta që i është bërë ASh-së për bashkëqeverisje.
 
Sali: Ende s’kemi propozim në tavolinë
 
Nënkryetari i Alternativës, Bekim Sali, konfirmon se Alternativa ende nuk ka një qëndrim të prerë.      
 
“Ende nuk kemi propozim në tavolinë, as propozim për pozitat tona në qeverinë e ardhshme, nëse do të ketë zgjerim të shumicës, as për pozitat që Aleanca i ka siguruar nga partnerët e tjerë të shumicës, prandaj nuk mund të komentoj konkretisht se cili është qëndrimi ynë.”, - deklaroi Bekim Sali nga Alternativa.
 
Varësisht nga vendimi i Alternativës nëse do të mbetet në qeveri ose jo, jo zyrtarisht mësohet se marrëveshja preliminare parasheh që ASh të fitojë Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe një pozitë zëvendëskryeministri për investime dhe diasporë; dy pozita zëvendësministrash dhe dy sekretarë shtetëror, ndërkaq nga drejtoritë më të rëndësishme parashihet SH.A. “MEPSO”, Fondin Pensional, Transportin Hekurudhor dhe Postat e Maqedonisë. Në dogana dhe drejtorinë e të hyrave publike parashihet të merr postet e zëvendësdrejtorëve.      
 
Mickovski: Do kemi ca politikanë më të pasur të ASh-së
   
Për kreun e VMRO- DPMNE, Hristijan Mickovski, qeveria BDI-LSDM është shndëruar në estradë, prandaj nuk sheh asgjë të re as në zgjerimin e mundshëm. Sipas tij zgjidhje janë vetëm zgjedhjet. 
 
“Për afër dhjetë muaj, sa do të ketë kjo qeveri, edhe sikur të mos ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, unë nuk pres që të ndryshojë diçka, përkundrazi punë do të shkojnë për keq. Do të kemi disa politikanë më të pasur që do të jenë bartës funksionesh nga radhët e ASh-së, ndërsa populli nuk do të fitojë asgjë.”, - theksoi  kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
ASh: VMRO, qeverinë e sheh vetëm si mjet për pasurim
 
ASh shpreh keqardhje që VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski ende nuk kanë dalë nga mentaliteti i vjetër dhe qeverinë e shohin vetëm si mjet për pasurim.
 
“Derisa VMRO-DPMNE është kundër ndryshimeve kushtetuese, që janë kusht për hapjen e bisedimeve me BE-në, ne nuk mund të kontribuojmë në izolimin e vendit, por duam t'i japim kohë hapjes së perspektivës evropiane.”, thuhet në reagimin me shkrim të ASh-së.
 
SHPËTIM NUREDINI