Botë
Vazhdon të rritet numri i viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri
09.02.2023 09:08
Vazhdojnë të rriten shifra e fataliteteve si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri....

Vazhdojnë të rriten shifra e fataliteteve si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit në Turqi dhe Siri.
Në Turqi, numri i të vdekurve është rritur në 14,014, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të enjten ndërsa vizitoi zonat e prekura në qytetin jugor të Gaziantepit.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Siri është të paktën 3,162, duke përfshirë 1,900 në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim sipas grupit të mbrojtjes civile ‘Helmetat e Bardha’, dhe 1,262 vdekje në pjesët e kontrolluara nga qeveria të Sirisë, sipas medias shtetërore siriane.
Dhjetëra mijëra të tjerë janë raportuar të plagosur në të dy vendet, ndërsa punonjësit e shpëtimit luftojnë për të gjetur të mbijetuarit në rrënojat e ndërtesave të rrëzuara mes të ftohtit dimëror. Por shpresat për të gjetur më shumë njerëz të gjallë shkojnë duke u zvogëluar pasi kanë kaluar më shumë se tre ditë që nga tërmetet.
Përpjekjet e shpëtimit janë penguar edhe nga qindra pasgoditje, të cilat e kanë bërë veçanërisht të rrezikshme punën në strukturat e paqëndrueshme.
Ekspertët thanë se koha po mbaron për të mbijetuarit e bllokuar nën rrënojat e tërmeteve në Turqi dhe Siri, teksa përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë vendimtare në 72 orët e para.Më shumë se 90 për qind e të mbijetuarve të tërmetit shpëtohen brenda tri ditëve të para, thanë ata.
Sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive, më shumë se 110,000 trupa të ekipeve të shpëtimit po marrin pjesë në përpjekjet për të shpëtuar sa më shumë jetë, dhe më shumë se 5,500 automjete, përfshirë traktorë, vinça, buldozerë dhe ekskavatorë janë dërguar në zonat e prekura nga tërmetet.
