Prokuroria nuk konfirmon se Zaev a ishte nën masa të posaçme hetuese
Prokuroria ka mbetur pa përgjigje konkrete për pyetjen e LSDM-së nëse lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, ka qenë nën masa të posaçme hetuese...

Prokuroria konfirmon se pas marrjes së urdhrit për realizim të procedurës hetimore kundër 4 personave për veprat penale “spiunim” dhe “dhunë” ndaj përfaqësuesve shtetëror ka ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme në procedurën hetimore, me qëllim zbardhjen e rastit, mbledhjen e dëshmive dhe të dhënave.
Nuk sqarohet nëse pjesë e masave dhe aktiviteteve në procedurë ka qenë edhe video-incizimi i kreut të opozitës maqedonase, Zoran Zaev, në takimin me kryeministrin.
Spekulohet se Zaev ka qenë nën masa të posaçme të hetimit. Spekulimet ngjallën reagimin e LSDM-së opozitare, e cila fajtorin për publikimin e videos e kërkon te kryeministri dhe Prokuroria Publike.
Prokuroria edhe një herë mbrojti kumtesën e saj të datës tre shkurt, ku ndalon publikimin e materialeve që kanë të bëjnë me rastin “Puç”. Mbështetjen ligjore prokuroria e gjen në Ligjin për Procedurë Penale, neni 289 dhe 299 dhe në nenin 8 të Ligjit për Prokurorinë Publike.
“Nëse është e vërtetë se kryetari Zaev ka qenë nën masa të posaçme hetuese kur ka qenë incizuar në kabinetin e kryeministrit Gruevski, kjo do të thotë se burimi i pamjeve të publikuara ilegalisht në opinion është ose Nikolla Gruevski, ose Prokuroria Publike, ose Gruevski dhe prokuroria së bashku”- thuhet në reagimin e LSDM-së.
Lidhur me publikimin e incizimeve dhe qasjen deri tek rrjeti që e ka shpërndarë atë, Ministria e Brendshme po vepron në bazë të kërkesave të Prokurorisë Publike.
Prokuroria edhe një herë mbrojti kumtesën e saj të datës tre shkurt, ku ndalon publikimin e materialeve që kanë të bëjnë me rastin “Puç”. Mbështetjen ligjore Prokuroria e gjen në Ligjin për Procedurë Penale, neni 289 dhe 299 dhe në nenin 8 të Ligjit për Prokurorinë Publike.
Ndërkohë, nga Këshilli i Etikës së Gazetarëve të Maqedonisë kanë shprehur shqetësimin ndaj kumtesës së para disa ditëve të prokurorisë me të cilën ndalohet publikimi i të dhënave që kanë lidhje me rastin “Puç”. Këshilli i Etikës i kujton prokurorisë se sipas nenit 272 dhe 273 të Ligjit për Procedurë Penale, gjithkush mund të denoncojë një vepër penale.
Për Këshillin e Etikës është e pakuptueshme që Prokuroria Publike të ndalojë informimin nga mediat që shërbejnë si një prej burimeve kryesore që prokuroria të procedojë rastet e dyshimta. “Është e paqartë se si mund gazetarët të klasifikojnë paraprakisht se çfarë munden e çfarë nuk munden të publikojnë dhe që në të ardhmen mund të bëhet subjekt i procedurës penale”- thuhet në reagimin e Këshillit të Etikës. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
