Botë
Bruksel, Zelensky vazhdon turneun evropian
09.02.2023 14:46
Presidenti ukrainas, Zelensky ka vazhduar turneun evropian....

Presidenti ukrainas, Zelensky ka vazhduar turneun evropian. Pas Londrës dhe Parisit, ai ka vizituar Brukselin duke marr pjesë në një samit të jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian. Zelenski, u prit me duartrokitje në Parlamentin Evropian ku mbajti fjalim para deputetëve. Ai kërkoi nga aleatët perëndimorë më shumë armë, ndërsa theksoi se Rusia nuk po sulmon vetëm ukrainasit, por edhe mënyrën evropiane të jetesës.
"Rreziku është se ekziston një diktator me sasi masive dhe rezerva armësh dhe armësh sovjetike nga regjimet diktatoriale, veçanërisht Irani. Për të qenë në gjendje të luftojë kështu, Kremlini, qëllimisht dhe me cinizëm, për vite me radhë, gradualisht u përpoq të shkatërronte vlerat evropiane, vlerën e jetës njerëzore.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Për liderët evropianë, vizita e Zelenskyt është një mundësi historike, ndërsa Ukraina po lufton edhe për vlerat evropiane.
“Ne e kemi të qartë se ju nuk po luftoni vetëm për vlerat tuaja, por edhe për tonat, për idealet që na lidhin vëllezër e motra, ato na bëjnë të gjithëve evropianë. Ukraina është Evropa dhe e ardhmja juaj është në Bashkimin Evropian.”, - theksoi presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola.
“Ky është një samit evropian jashtëzakonisht i rëndësishëm. Për herë të parë, Volodymyr Zelensky merr pjesë personalisht. Jemi shumë të bashkuar, më shumë se kurrë. Është e rëndësishme që ne të rrisim përpjekjet tona për të mbështetur Ukrainën.”, - u shpreh presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
“Është mirë që mund të diskutojmë me presidentin ukrainas dhe të tregojmë edhe një herë sinjalet e unitetit dhe solidaritetit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, në mbrojtje të pavarësisë dhe integritetit të saj, për aq kohë sa të jetë e nevojshme.”, - tha kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Ndërkohë sulmet e ushtrisë ruse janë intensifikuar ditëve të fundit. Derisa Moska zyrtare e ka paralajmëruar Perëndimin që të mos dërgojë armë në Ukrainë, sepse këtë e interpreton si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në luftën që ka filluar para një viti.
SANIJE DURAKI
