Maqedoni

Instituti sizmologjik, ndërtesat e reja janë më të sigurta nga tërmetet

09.02.2023 15:13

Tërmeti i fundit në Turqi, i cili la të vdekur mijëra persona, ngriti dilemën se sa të sigurta janë ndërtesat në vend...

Tërmeti i fundit në Turqi, i cili la të vdekur mijëra persona, ngriti dilemën se sa të sigurta janë ndërtesat në vend. Drejtori i Institutit të Sizmologjisë dhe Inxhinierisë së Tërmeteve, Vllatko Sheshev, thotë se më të sigurtat nga tërmeti në Shkup janë ndërtesat e reja, të cilat janë ndërtuar sipas standardeve më të rrepta sizmologjike. Megjithatë, ai shton se ndërtesat me ndërtime shtesë dhe ato të ndërtuara pa kontrollin e Institutit Sizmologjik janë të pasigurta.
 
“Duhet të kemi parasysh se problem nuk janë vetëm ndërtesat e reja. Ne kemi objekte ekzistuese, në të cilat kemi përmirësime, kemi shtime të ndërtimeve të vjetra që shpeshherë përbëjnë problem gjatë tërmeteve të tilla. Gjithashtu duhet ta pranojmë se kemi ndërtime pa leje për të cilat nuk kemi njohuri, nuk kemi asnjë dokumentacion. Këto janë gjëra që duhet t'i përmirësojmë dhe t'i tejkalojmë absolutisht në të ardhmen, vetëm atëherë mund të flasim se si janë për ne të gjitha ndërtesat në Shkup dhe në vend.", - deklaroi Vllatko Sheshev nga Instituti Sizmologjik.
 
Përvoja japoneze, metoda e izolimit sizmik ulë rrezikun nga tërmetet
 
Japonia, si një vend i cili me sukses përballet me tërmetet e shpeshta, me anë të ekspertëve po e ndihmon Maqedoninë e Veriut në këtë lëmi.
 
“Këtë vit është 60 vjetori i tërmetit të Shkupit dhe kjo është një mundësi e mirë jo vetëm për të kujtuar tragjedinë, por edhe për të përgatitur dhe parandaluar pasojat nga tërmetet e ardhshme me teknologji të reja.”, - theksoi ambasadori i Japonisë, Kazuja Otsuka. 
 
Metoda japoneze e izolimit sizmik, kontribuon në sigurinë më të madhe të ndërtesave dhe mund të shpëtojë shumë jetë gjatë tërmeteve të forta.
 
“Është i nevojshëm përmirësimi i standardeve për ndërtimin e objekteve të banimit me aplikimin e teknologjisë së re për izolimin sizmik që kontribuon në nivelin e qëndrueshmërisë më të madhe gjatë tërmeteve.”, - u shpreh kryetari i asociacionit japonez së izolimit sizmologjik të Japonisë, Akinobu Nakayava. 
 
"Si një vend që vuan nga tërmetet, në Japoni  prodhojmë teknologji që shpëtojnë jetë, duke rritur standardet në ndërtimin e ndërtesave.", - theksoi drejtori i Analizave ndërtimore ndërkombëtare, Hiroaki Tojohara.
 
Shkolla “Pestaloci” në Shkup është ndër ndërtesat e para në Evropë dhe botë me izolim sizmik, por për aplikim të gjerë të kësaj metode për ndërtim më të sigurt duhet të ketë kontroll të vazhdueshëm dhe industri të trajnuar teknologjikisht, thonë nga Instituti Sizmologjik.
 
BELINDA KOKA ADEMI