Botë

Tërmeti në Turqi dhe Siri shkon në 17.000 numri i viktimave

09.02.2023 15:34

Nën rrënojat e tërmetit të së hënës në Turqi dhe Siri ka ende shpresë për gjetjen e të mbijetuarve....

Nën rrënojat e tërmetit të së hënës në Turqi dhe Siri ka ende shpresë për gjetjen e të mbijetuarve. I tillë është edhe rasti i foshnjës shtatëmuajshe të mbijetuar që u nxor i gjallë nga rrënojat, Hataya dhe Ahmeti 10 vjeçar nga Adiyaman. 
 
Të gjallë deri më sot janë nxjerrë rreth 9 mijë njerëz. Numri i viktimave në të dy vendet vijon të rritet me ritme të shpejta dhe ka arritur në 17 mijë, 14 mijë prej të cilëve vetëm në Turqi. Ndërsa shifra totale e të lënduarve është në mbi 66 mijë persona.
 
“Siç e shihni pranë jush, puna për heqjen e mbeturinave vazhdon me shumë përpjekje që të nxirren të mbijetuarit. Numri i ndërtesave të shembura ka shkuar në 6.444. Në Gaziantep u shembën 944 ndërtesa. Shteti me të gjitha agjencitë dhe institucionet e tij ishte në terren menjëherë pas tërmetit.”, - deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. 
 
Më të vështira, operacionet e shpëtimit janë në Sirinë e destabilizuar prej vitesh. Në qytezën siriane të Zhindirsit, 60 kilometra në veri të Alepos, operacionet e shpëtimit ende nuk kanë nisur.
 
“Nuk po e humbim shpresën. Për sa kohë që ajo nuk është gjetur, ne vazhdojmë të shpresojmë.”, - thanë nga ekipi i shpëtimit.
 
"Ka njerëz të gjallë nën rrënoja. Deri dje kemi dëgjuar zëra. Sot nuk kemi dëgjuar asgjë. Prandaj presim të vijë një ekip profesional. Presim ndihmën e shtetit.", - u shprehën nga ekipi i shpëtimit. 
 
Foshnja e cila lindi në momentin e tërmetit është me plagë në trup, por jashtë rrezikut për jetën. Ajo është e vetmja e mbijetuar e familjes, sepse të gjithë anëtarët humbën jetën nën rrënoja. Mjeku që po trajton vogëlushen është me shpresë për shërimin e saj.
 
“Fëmija i porsalindur u gjet i gjallë nën rrënoja. Ajo kishte disa orë që kishte lindur, ishte ende e lidhur me nënën e saj nga kordoni i kërthizës. Ne e ndihmuam foshnjën me aq mundësi sa kishim. Ia premë kordonin e kërthizës me thikë. Më pas shkuam direkt në spital, ku ajo duhej të futej në një inkubator. Sot u varros nëna e saj bashkë me pjesën tjetër të familjes. Vetëm vajza e vogël mbijetoi.”. – tha një qytetar.
 
"Vajza mbërriti këtu në gjendje të keqe shëndetësore. Ajo ishte hipotermike, sepse kishte qenë nën rrënoja për rreth katër orë pas lindjes. Fatmirësisht, vajza tani është në gjendje stabile. Ajo ka shumë mavijosje në trup. Një mavijosje e rëndë në shpinë, por për fat të mirë shkon drejt rikuperimit.”, - theksoi një mjek pediatër.
 
Më  shumë se 110.000 trupa të ekipeve të shpëtimit po marrin pjesë në përpjekjet për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe më shumë se 5.500 automjete, përfshirë traktorë, vinça, buldozerë dhe ekskavatorë janë dërguar në zonat e prekura nga tërmetet.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU