Maqedoni
Zgjerimi i qeverisë vendoset sot, Kovaçevski: Këshilli qendror do të merr vendimet përkatëse
09.02.2023 16:13
Grupi punues i LSDM, me bartës vetë kreun e partisë, Dimitar Kovaçevski dhe ai i ASh-së...

Grupi punues i LSDM, me bartës vetë kreun e partisë, Dimitar Kovaçevski dhe ai i ASh-së me bartës kryetarin e partisë, Arben Taravari, kanë përfunduar negociatat me marrëveshje për bashkëqeverisje. Marrëveshja e arritur mes palëve duhet të verifikohet në organet më të larta të partive përkatëse.
“Sot kemi mbledhje të Këshillit Qendror dhe Këshillit Ekzekutiv të LSDM-së, ku grupi i punës do të paraqesë raport nga negociatat që kemi zhvilluar. Ato u zhvilluan sipas parimeve që u përcaktuan në takimin kur u nominuam, në bazë të këtij raporti dhe marrëveshjes që kemi arritur me Aleancën do të mund të referojnë para Këshillit Qendror dhe ku do të merren vendimet përkatëse.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Taravari: Mund të thuhet se e kemi përmbyllur marrëveshjen
Ndërkaq ASh, fillimisht, do të verifikojë marrëveshjen në një referendum brendapartiak dhe më pas, me autorizim të Kuvendit Qendror do të vendosë kryesia e partisë. Arritjen e Marrëveshjes e konfirmoi vetë kreu i ASh-së, Arben Taravari, për TV Shenja.
“Poshtë – lartë, mund të thuhet se ne e kemi përmbyllur marrëveshjen me detaje të vogla, të cilat u kemi lënë hapësirë që të negociojnë edhe partnerët e koalicionit qeveritar që janë pjesë e Qeverisë, prandaj shpesh e them nuk është 100% e dakorduar. Besoj se brenda ditës së nesërme edhe ne ta mbajmë Kryesinë Qendrore, pasi që Kuvendi Qendror duhet t’i sjellë këto vendime, por Kuvendi i ASh-së ia ka deleguar kryesisë së partisë që ta sjellë vendimin përfundimtar.”, - theksoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Pranimi i ASh-së në koalicion qeverisës nuk duhet të jetë shkas për largimin e Alternativës nga koalicioni qeverisës. Kryeministri Kovaçevski tha se gjatë zgjerimit është normale që partnerët e koalicionit të bëjnë disa përshtatje në harmoni me mandatet e deputetëve që kanë në Kuvend. Tha se dëshiron që Alternativa të mbetet pjesë e Qeverisë, megjithatë vendimi për të mbetur ose për dalë është e drejtë ekskluzive e organeve të saj.
Seanca për rikonstruimin e qeverisë është e mundur që të caktohet të hënën, ka konfirmuar për “Slloboden Peçat”, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nëse gjatë ditës ose nesër, kryeministri Dimitar Kovaçevski e dorëzon në Kuvend propozimin për kabinetin e ri qeveritar.
SHPËTIM NUREDINI
