Maqedoni

Spitali i Strugës, lëshohet në përdorim një aparat mamografik

09.02.2023 16:35

Në spitalin e Strugës u lëshua në përdorim një aparat mamograf, i cili do të ndihmojë në diagnostifikim....

Në spitalin e Strugës u lëshua në përdorim një aparat mamograf, i cili do të ndihmojë në diagnostifikim e hershëm të kancerit të gjirit. Ky aparat është siguruar nga ministria e shëndetësisë dhe banka botërore. Ministri i shëndetësisë dhe drejtori i spitalit të Strugës thanë se ky aparat është mjaft i rëndësishëm për rajonin jugperëndimor të vendit, pasi shumë pacientë të qyteteve tjera trajtohen në Strugë. 
 
“Këtu kemi siguruar mamografinë e re, e cila është shumë e nevojshme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, duke pasur parasysh se në 5 vitet e fundit spitali i përgjithshëm nuk ka pasur mamograf. Prandaj është i rëndësishëm për rajonin jugperëndimor. Diagnostifikimi i hershëm dhe i saktë i pacientëve është 50% i trajtimit të pacientëve.”, - deklaroi ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
 
“Në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë ne arritëm të ofrojmë një aparat të sofistikuar, mamografi e cila është mjaft i nevojshëm në regjionin tonë, për arsye të diagnostifikimt të hershëm të sëmundjeve malinje të gjirit. Ky aparat i sofistikuar ka një rrezatim të ulët, nga ana tjetër ka një kontrollim të kompresionit dhe rezolucion të lartë të grafive, kështu që aparati i instaluar në spitalin tonë do t’u shërbejë pacientëve për cilësi më të mirë shëndetësore.”, - theksoi drejtori i spitalit të Strugës, Armend Arsllani.
                                                                                                
Njëherit, prej disa muajsh reparti i pediatrisë në Ohër funksionon vetëm si ambulancë, për shkak të mungesës së mjekëve pediatër. Ndërsa fëmijët nga Ohri trajtohen në spitalin e Strugës. Ministri tha se duhet të ketë koordinim që mjekët të lëvizin nga Struga për në Ohër. Ndërsa nga spitali i Strugës thonë se dy specialistë do të dërgohen në Ohër ku do të mbulojnë repartin e pediatrisë. Reparti i pediatrisë në Strugë ka vetëm 5 mjekë pediatër, ndërsa numri i pacientëve është shumë i lartë sidomos gjatë mbrëmjes dhe fundjavave, kur pacientët nga Ohri vijnë në spitalin e Strugës. 
 
ILMIE ZHAKU