Maqedoni
Relacionet Shkup – Sofje, Radev: Veto dhe monitorim të BE-së në RMV
09.02.2023 17:19
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev rikthen në lojë veton bullgare ndaj Maqedonisë...

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev rikthen në lojë veton bullgare ndaj Maqedonisë nëse bullgarët nuk përfshihen në kushtetutën e vendit. Sipas presidentit të Bullgarisë, edhe pse kjo nuk është çështje e takimit të BE-së që po mbahet në Bruksel, ai megjithatë do ta nxisë këtë temë dhe do të kërkojë monitorim të realizimit të të drejtave bullgare në Maqedoninë e veriut, pas incidentit të fundit në Ohër.
“Për momentin jemi në gjendje veto. Bisedimet do të nisin atëherë kur bullgarët do të përfshihen në kushtetutën e fqinjit tonë. Përderisa nuk përfshihen, bisedimet nuk nisin. Nuk shoh vullnet politik dhe ka mos përputhje midis përkushtimit politik të Maqedonisë së Veriut dhe realitetit ku jetojnë bullgarët atje. Mohimi i ekzistimit të këtyre problemeve vetëm zvarrit arritjen e zgjidhjes. Sikurse kërkohet nga ne përshpejtim i procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, atëherë BE të urdhërojë monitorim dhe garanci për respektimin e të drejtave të bullgarëve në Maqedoni.”, - deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
Kovaçevski: S’ka veto, ne negociojmë me BE-në
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, konsideron se të drejtat e të gjitha bashkësive janë në nivel më të lartë krahasuar me shumë vende të BE-së. Ndërkaq sa i takon vetos, kryeministri deklaron se për anëtarësim në BE nuk negociohet me Bullgarinë, por me Unionin.
“Të drejtat që kanë grupacionet që nuk janë pjesë e popullit shumicë, janë në nivel shumë më të lartë krahasuar me një pjesë të madhe të shteteve në Evropë. Andaj s’do ta komentoja Bullgarinë, pasi që ata janë në zgjedhje. Pas zgjedhjeve ne do të vazhdojmë komunikimin institucional, pasi që ne me Bullgarinë nuk negociojmë për hyrje në BE, por ne negociojmë me BE-në. Veto s’do të ketë pasi që ne veç më kemi nisur bisedimet.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri ka takuar të gjithë ambasadorët e BE-së, ku në detaje kanë folur për sfidat që e presin Maqedoninë këtë vit në saje të skriningut, si bazë për arritjen e standardeve për anëtarësim në BE.
Marrëdhëniet Shkup – Sofje, kohët e fundit u acaruan pas dhunës ndaj Hristijan Pendikov, sekretarit të klubit bullgar në Ohër, si dhe me mos lejimin e shtetasve bullgarë të kalojnë kufirin për të kryer homazhe në varrin e Goce Dellçevit në Shkup.
MERAL ISMAILI
