Përmbarimi, qytetarët ankohen për shpenzime të larta
Viteve të fundit, takimi qytetarë–përmbarues është shpeshtuar, por janë shpeshtuar edhe ankesat e qytetarëve ndaj përmbaruesve...

Qytetarët ankohen nga puna e përmbaruesve dhe thonë se paguajnë shpenzime të mëdha ndaj tyre. Madje, një numër i madh i qytetarëve të anketuar nga TVM2 në të përmendur përmbaruesit, refuzonin që të përgjigjen në pyetjen tonë, ndërsa disa thanë se puna e përmbaruesve është në realitet “reketi legal”, sepse tarifat e tyre varfërojnë edhe ashtu xhepin e varfër të qytetarëve.
“Të paguash për 1300 denarë 18000 denarë është shumë. Fajin e ka shteti, i do paratë, do të vjedhë nga populli, ajo është vjedhje, mund t’ia kërkon borxhin, por jo të kërkon sa nuk ka nevojë”- deklaroi një qytetar.
“Rrogat janë 150 deri 200 euro, ndërsa për 20 euro duhet të paguash 18 mijë denarë, por s’kemi çka të bëjmë, në këtë shtet jetojmë. Kam parë rast ku për 1200 denarë ka paguar përmbaruesit 12 mijë denarë. Kjo është vetëm plaçkitje për popullin, asgjë tjetër” - tha një qytetar.
“Po kam. Në shtëpi kam dy fletë urdhëresa nga përmbarues. Shuma që duhet të paguaj është shokuese, për borxh prej 5 mijë denarëve më kërkojnë të paguaj 16000 denarë. Por, unë nuk kam para që të bëj pagesën”- theksoi një qytetar.
Por, përmbaruesit thonë se tarifa e tyre është e lirë. Shuma që borxhliu duhet të kthejë rritet për shkak të kamatës, zakonisht para se të hidhet rasti në gjyq, kalon një vit dhe kështu rritet edhe borxhi i qytetarëve, thotë përmbaruesi, Premtim Qerimi.
“Borxhi kryesor mund të jetë prej 1 mijë deri në 4 mijë denarë, ato janë kryesisht paushallë të gjyqit që vetëm ne si përmbarues kemi të drejt t’i pranojmë. Informacionet e para që kërkojmë ne është kërkesa për informata a është i punësuar dhe vetëm kjo kushton diku rreth 300 denarë. Harxhimet me fletëurdhëresën e parë nuk mund të jenë më tepër se 3 mijë denarë. Por, mund të shkojnë harxhimet deri në 300 euro. Por, jo për shkak fajit tonë, por për shkak të debitorit i cili nuk vepron sipas fletëurdhëresës që ne e dorëzojmë. Kemi çmimin për administrim që paguhet sipas vlerës së lëndës, pastaj kemi harxhime për dërgesat e fletëurdhëresave që bëhen deri te adresa e debitorit, ose te punëdhënësi, ose te banka”- deklaroi përmbaruesi, Premtim Qerimi.
Ndërkohë, një numër i madh i qytetarëve ankohen deri te Avokati i Popullit se nga llogaritë bankare përmbaruesit ua marrin rrogën e plotë për borxhe të mbetura.
Rikujtojmë qytetarët se me Ligjin e ri për Përmbarim, përmbaruesit kanë të drejtë të tërheqin vetëm një të tretën e rrogës për borxh të prapambetur të qytetarit. (Sanije Kasami, TVM2)
