Botë

Opozita, kritika Kurtit për dialogun, Kurti: Këtë qëndrim, opozita t’ia thotë Eskobarit

09.02.2023 18:47

Partitë politike opozitare në Kosovë kanë ngritur një varg kritikash në drejtim të kryeministrit, Albin Kurti...

Partitë politike opozitare në Kosovë kanë ngritur një varg kritikash në drejtim të kryeministrit, Albin Kurti lidhur me propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ata e kanë vënë theksin te ajo se propozimi tanimë i pranuar nga Kurti nuk përmban njohjen reciproke.
 
“Dua t’ia bëj të qartë kryeministrit se në raport me temën e dialogut nuk ka nevojë as të fshihet, as të mashtrojë, as të luaj rolin e shpëtimtarit e as të tradhtarit. Për PDK-në mjafton që ai ta ushtrojë përgjegjësinë konkrete ligjore dhe kushtetuese që e ka si kryeministër, të dialogojë dhe të arrijë marrëveshje që e respekton identitetin dhe sovranitetin shtetëror dhe kushtetues të RKS-së dhe krejt këtë ta bëjë në mënyrë transparente.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.                                                                                            
 
“Në një takim të zhvilluar në zyrën e tij së bashku me liderët e partive tjera opozitare në Kuvend, kryeministri më kishte dorëzuar një dokument dyfaqësh i njohur më vonë si plani franko-gjerman për aq sa munda ta lexoj një shkrim telegrafik, propozimi i tillë nuk përmbante një marrëveshje finale e ligjërisht të obligueshme.”, - theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. 
         
Në reagimet e Krasniqit dhe Abdixhikut u kundërpërgjigj kryemisnitri Kurti.
 
“Kur e keni Eskobarin përpara, paramendojeni Albin Kurtin dhe thoni Kosova Republikë, marrëveshje finale, njohje reciproke në qendër asgjë më pak dhe krejt në fund të dashur deputet ky asociacion është asociacion i kryetarit të nderit të LDK-së dhe ish-kryetarit të PDK-së, kjo duhet me qenë preambula sa herë që ta merrni fjalën për Asociacionin.”, - u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.     
                                                     
Kryeministri Kurti, njëherit tha se propozimi i Bashkimit Evropian që njihet si plani franko-gjerman, nuk është marrëveshje finale, por është një kornizë apo një marrëveshje bazike, jo përfundimtare.
 
FITORE DEMOLLI