Maqedoni

LSDM: Përfshirja e ASh-së në qeveri, mbyll çështjen e zgjedhjeve të parakohshme

10.02.2023 10:59

Pasi tashmë edhe zyrtarisht kanë përfunduar bisedimet dhe konfirmimet partiake për hyrjen e Aleancës së Shqiptarëve në qeveri...

Pasi tashmë edhe zyrtarisht kanë përfunduar bisedimet dhe konfirmimet partiake për hyrjen e Aleancës së Shqiptarëve në qeveri, seanca parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re, mund të mbahet të hënën.
 
Mbrëmë hyrjen e ASh-së  në ekzekutiv, e miratoi edhe Këshilli Qendror i LSDM-së, i cili autorizoi kryetarin e partisë, Dimitar Kovaçevski, të përfundojë bisedimet dhe të propozojë zgjidhje kadrovike.
Në njoftimin e sotëm, LSDM thotë se beson se me përfshirjen e ASh-së në qeveri, është mbyllur çështja e zgjedhjeve të parakohshme.
 
“Zgjedhjet do të mbahen siç është planifikuar në vitin 2024, gjë që është e mirë për stabilitetin, për investitorët dhe për ekonominë. Gjërat janë të qarta. LSDM e mban numrin e ministrave si më parë, kemi shumicë të shtuar në Kuvend, mbështetje më të madhe për reformën e vendit dhe kursin evropian dhe stabilitetin politik,”, thonë nga  LSDM. 
 
Mbrëmë kryetari i ASh-së, Arben Taravari, tha se në mbledhjen e dytë të kryesisë të ASH-së, para gjithë anëtarëve të kryesisë, e cila mori për obligim prej Kuvendit Qendror, të sjellë vendimin përfundimtar për pjesëmarrjes e ASH-së në Qeverinë aktuale të RMV-së. 
 
Ai konfirmoi se kuadro të kësaj partie do të udhëheqin Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Drejtësisë, ndërsa posti i tretë ministror është ose Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës ose zv/kryeministri për Çështjet Ekonomike. ASh-së sipas tij, i janë rezervuar edhe pozitat e zv/ministrave në Ministrinë e  Mbrojtjen dhe atë të  Bujqësisë, si dhe disa poste drejtoresh, megjithëse Taravari nuk sqaroi se për cilat drejtori bëhet fjalë konkretisht.