Maqedoni
Zgjerimi i qeverisë, pritet që palët të prezantojnë marrëveshjen
10.02.2023 15:35
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kreu i ASh-së Arben Taravari, në çdo çast, pritet të prezantojnë para opinionit marrëveshjen e arritur për bashkëqeverisje...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kreu i ASh-së Arben Taravari, në çdo çast, pritet të prezantojnë para opinionit marrëveshjen e arritur për bashkëqeverisje. Sipas LSDM-së, me përfshirjen e ASh-së në qeveri sigurohen të gjitha mundësitë për stabilitet politik dhe efikasitet të Kuvendit dhe institucioneve. Sigurohet shumicë më e madhe parlamentare për miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me reformat, zhvillimin e politikave ekonomike dhe integrimin e në BE. Njëkohësisht, mbyllet çështja për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Bashkëpunimi me Aleancën për Shqiptarët do të kontribuojë në realizimin e përshpejtuar të reformave në ekonomi, në gjyqësi dhe në integrimin e vendit në BE. Krijohen kushte për avancimin e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, ndërkaq, përkrahje të shtuar fiton edhe plani për partneritet strategjik me ShBA-të dhe avancimin e marrëdhënieve fqinjësore.”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Detajet nga marrëveshja nuk i ka zbuluar as ASh-ja. Kreu i saj Arben Taravari, pas mbledhjes së kryesisë qendrore të partisë, një ditë më parë, tha se partia e tij do të hyjë në qeveri me tre poste ministrore. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë janë konfirmuar përfundimisht, në tryezë është edhe Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë ose posti i zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike. Zgjidhja e fundit, siç duket do të varet nga vendimi përfundimtar i partisë Alternativa, nëse do të mbetet në koalicionin qeverisës ose do ta braktis atë.
SHPËTIM NUREDINI
