Maqedoni
“Grupi i zjarrit” nga Hasanbegu, BDI të reflektojë, ekzekutivi s’i ka bërë punët
10.02.2023 16:14
Përfaqësuesit e BDI-së të cilët njihen në opinion si “Grupi i zjarrit”...

Përfaqësuesit e BDI-së të cilët njihen në opinion si “Grupi i zjarrit”, mbrëmë kanë qëndruar në lagjen e Hasanbegut të Shkupit ku edhe njëherë i kanë numëruar lëshimet dhe keqqeverisjen e funksionarëve aktual të BDI-së me theks të veçantë duke kritikuar punën e zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi. Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, edhe një herë ka ftuar liderin e integristëve, Ali Ahmetin për të reflektuar pasi siç u shpreh, BDI dhe anëtarësia e kësaj partie nuk janë të kënaqur me punën e ministrave dhe zëvendëskryeministrit të parë të ekzekutivit .
“Këto dy vite ka bërë aq pak punë, saqë sikur të mos kishte bërë fare zëvendëskryeministër më mirë do të ishte. Prej këtu apelojmë sa më shpejtë të tërhiqen këto ministra dhe sa më shpejtë të zëvendësohen me djem dhe vajza të reja.”, - deklaroi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Mexhiti, po ashtu ka pohuar se hyrja e Aleancës për Shqiptarët në qeveri, nuk është Aleancë për t’i grumbulluar shqiptarët në një front të përbashkët, por është aleancë për ta shpëtuar Artan Grubin.
“Aleancën për Shqiptarët e marrin në qeveri, del Alternativa hynë Aleanca, apo del dikush tjetër, por kjo nuk është bashkim i shqiptarëve, por është aleancë për ta shpëtuar Artan Grubin. Nuk tregojnë as numrat për ndryshimet kushtetuese futja e Aleancës. Qeveria ka një shumicë stabile prej 64 deputetëve.”, - theksoi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Mexhiti dhe të tjerët, edhe njëherë apeluan që është koha që BDI të përmirësohet, para se qytetari ta thotë fjalën e tij të fundit.
FITIM KRYEZIU
