Afat shtesë për testimin ekstern të maturantëve
Maturantët të cilët nuk i janë nënshtruar testimit ekstern të njohurive, do të kenë mundësi që këtë detyrim ligjor ta bëjnë në afatin shtesë...

Këtë e bëri të ditur drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Mirushe Ameti, sipas së cilës kanë mbetur pa testuar 4185 maturantë, ndërsa 16 471 këtë proces e kanë realizuar me sukses. Sipas saj, u bëhet thirrje të gjithë maturantëve që të paraqiten në afatin shtesë në mënyrë që të përfshihen të gjithë maturantët nga të gjitha shkollat e mesme në vend.
“Sesioni shtesë do të jetë nga 16 deri më 19 shkurt, varësisht nga numri i nxënësve, do të testohen katër ditë apo dy ditë, sepse diku ka numër më masiv të nxënësve të patestuar dhe shpresojmë se kësaj radhe do t’i përfshijmë të gjithë maturantët e shkollave të mesme”- deklaroi drejtoresha e Qendrës për Provime, Mirushe Ameti.
Maturantët e shfrytëzuan të drejtën e ankesës me kohëzgjatje treditore deri te Qendra Shtetërore e Provimeve, ndërsa ankesat i janë nënshtruar procedurës së shqyrtimit edhe gjatë ditës së sotme.
“Të gjitha ankesat janë duke u shqyrtuar sot deri në pasdite dhe pastaj do të publikohen në orët e mbrëmjes rezultatet finale pas ankesave të nxënësve”- tha drejtoresha e Qendrës për Provime, Mirushe Ameti.
Rezultatet e ankesave të parashtruara do t’u dorëzohen shkollave të cilat do t’i kenë në dispozicion rezultatet finale të hënën. (Flutura Latifi, TVM2)
