Tërmeti në Turqi dhe Siri, OBSH: Nevojat shëndetësore mbi 42 mln dollarë

12.02.2023 13:15

Rreth 26 milionë njerëz janë prekur nga tërmeti....

Rreth 26 milionë njerëz janë prekur nga tërmeti i fundit në Turqi dhe Siri, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila thekson se nevoiten 42.8 milionë dollarë për të përballuar nevojat shëndetësore të personave të mbijetuar.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar. Një foshnjë shtatë muajshe, një vajzë adoleshente dhe një burrë 27-vjeçar janë nxjerrur në orët e para të së dielës.

Numri i viktimave nga tërmeti është rritur në më shumë se 28 mijë persona, ndërsa dyshohet se ende ka njerëz nën rrënoja.

Në Turqi, numri i të vdekurve u rrit në 24,617, ndërsa numri i të vdekurve në Siri arrinë në 3,553. Përveç me pasojat e tërmetit policia turke po përballet edhe me grabitës, me ç’rast janë arestuar rreth 100 persona, të cilët kanë grabitur ndërtesa të dëmtuara dhe ndihma humanitare.

Në Hataj janë arrestuar disa persona që janë prezentuar si punëtorë humanitarë dhe kanë tentuar të vjedhin kamion me ndihma.                                                                                         

“Kemi shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Prej tani e tutje secili që është përzier në vjedhje ose kidnapim, duhet ta dijë se e ndjek dora e fuqishme e shtetit” – u shpreh Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Qytetarët ankohen se janë të detyruar ta ruajnë pronën nga vjedhësit.

”Po i ruajmë shtëpitë dhe automjetet. Po na vjedhin. Jemi të dëshpëruar dhe shqetësuar. Kjo është gjendje kaotike” – tha një qytetare.

“Nëse dikush vjen pas pelenave, ushqimit apo pijeve është normale, pasi nuk kemi marrë ndihmë disa ditë. Por disa po vijnë po marrin kafemat ose shporetë” – deklaroi një qytetarë tjetër.

Policia turke ka arrestuar edhe 12 persona ixhinjer ndërtimi dhe persona përgjegjës për ndërtimin e objekteve të shembura në provincat juglindore të Gaziantep dhe Sanliurf.

Ndihma për Turqinë por edhe për Sirinë vazhdon. BE ka dërguar ndihmën e parë edhe në Siri. Në rajonin që mbahet nën kontrollë nga kryengritësit, kërkimet për të mbijetuar po i realizojnë helmetat e bardha.                                                                        

“Punojmë ditë e natë për të nxjerrur të mbijetuarit. Nëse ne nuk ndihmojmë nuk ka kush tjetër” – tha një nga aktivistët në “Helmetat e Bardha”.

Ndërkohë dridhjet e tokës në atë zonë kanë vazhduar edhe gjatë këtyre ditëve. Vetëm natën e kaluar janë regjistruar dhjetra tërmete. (Safet Ademi, TVM2)