LSDM, shumicë të re për reforma dhe stabilitet politik
Me propozim të kryeministrit Dimitar Kovaçevski....

Me propozim të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, të hënën kuvendi do të debatoj për rekonstruimin e qeverisë, pjesë e së cilës do të jetë edhe Aleanca për shqiptarët.
Me zgjerimin e Qeverisë, përkatësisht me pjesëmarrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, u sigurua shumicë më e madhe parlamentare për reforma dhe stabilitet politik të vendit, kanë deklaruar nga LSDM.
“Me përfshirjen e Aleancës si partner i ri i koalicionit në Qeveri, sigurohen të gjitha kushtet për stabilitet politik, avancim të sundimit të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit, si dhe rritje të efikasitetit të Kuvendit dhe institucioneve. Në kohën kur kriza energjetike dhe ekonomike vazhdon ende, është e një rëndësie të madhe parandalimi i bllokadave të VMRO-DPMNE-së, që të mos ketë ligje të bllokuara në Kuvend. Shumica e shtuar e qeverisë do të kujdeset për përballimin e krizës, përmirësimin e jetës së qytetarëve, rimëkëmbja e ekonomisë do të nisë tashmë këtë vit. Shumica e shtuar lejon vazhdimin e tranzicionit energjetik, nisma ekonomike si Ballkani i Hapur, rajonal bashkëpunim, mbështetje më e madhe për partneritetin strategjik me SHBA-në dhe avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe shumica parlamentare do të punojnë me përkushtim për integrim të përshpejtuar evropian”, theksojnë nga LSDM.
IPP “Arbën Xhaferi”, mirëpret zgjerimin e shumicës parlamentare
Zgjerimi i shumicës paralemtare është mbështetur edhe nga Instituti për Politika Publike, Arbën Xhaferi, i cili përshëndet edhe prioritetet e paraqitura në Deklaratën qeverisëse të Aleancës për Shqiptarët.
“Maqedonia e Veriut është në mes të katër krizave të mëdha, tri globale e dy vendore, që të gjitha me pasoja për orientimin pro-perëndimor të vendit. Globale janë lufta në Ukrainë, dhe si pasojë e saj kriza ekonomike dhe kriza energjetike. Vendore janë kriza e korrupsionit dhe së fundi kriza kushtetuese. Rritja e shumicës parlamentare është veprim për t’u vlerësuar në ruajtjen e kursit evropian të vendit dhe ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe për të adresuar murtajën e korrupsionit”, - theksojnë nga Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi.
VMRO-DPMNE, rekonstruimi i Qeverisë i ngjanë Pazar tre
Por VMRO-DPMNE sërish ka kundërshtuar rekonstruimin e qeverisë.
“Propozim lista për ministra të ri dhe zëvendës minsitra në qeveri është listë e vertetë pazar tre, për ta shpëtuar qeverinë e Ahmetit dhe Kovaçevskit, për vazhdimin e afatit për kriminalitet, tendera dhe kriza e disfata për Maqedoninë” – u shpreh Naum Stoillkovski ngaVMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-DPMNE-së shpëtim nga kriza aktuale janë zgjedhjet e parakohëshme parlamentare.
ASH, mllefi i VMRO-DPMNE-së ndaj ASH-së buron që nga viti 2017
Por Aleanca për Shqiptarët kanë thënë se e kuptojnë mllefin e VMRO-DPMNE-së ndaj Aleancës për Shqiptarët dhe eksponentëve të saj, i cili buron nga viti 2017 kur iu dha fund regjimit të tyre.
Arma e vetme e VMRO-DPMNE-së ndaj ASH-së është shpifja dhe akuzat e pabaza, thonë nga partia e Taravarit. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
