Honoraristët, kundër pagesës së kontributeve
Honoraristët protestuan para Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, duke kundërshtuar sërish ligjin që i obligon ata të paguajnë kontribute...

Duke e vlerësuar ligjin si të dëmshëm për vetë honoraristët, ata parashtruan një sërë pyetjesh në adresë të kësaj ministrie, siç janë: cila është përqindja që përfshin honorarët jashtë vendit, sa mjete planifikohet të sigurohen në buxhet nëpërmjet kontributeve nga honoraristët, apo nëse do të merren parasysh harxhimet e honoraristëve dhe si do të evidentohet kjo?
“Pushteti nuk dëshironte të na pyes nëse këto zgjidhje ligjore janë të mira ose jo të mira, tani ne dëshirojmë ta presim pushtetin që të na i sqarojë disa pyetje. Këto ndryshime janë kundërkushtetuese dhe shkelin një sërë normash kushtetuese dhe lidhur me këtë do të dorëzojmë parashtresë te gjyqi kushtetues, që ai të deklarohet për kushtetueshmërinë e këtyre ndryshimeve ligjore”- deklaroi Zdravko Savevski nga Lëvizja “Solidarnost”.
“Ndryshimet ligjore për pagesën e kontributeve tanimë e dhanë efektin e tyre. Honoraristët janë larguar nga puna, në janar nuk u janë paguar honorarët, profesionet e lira nuk dinë se si të përballen me softuerët që llogarisin edhe deri në 50% nga të ardhurat neto. Nuk është hera e parë që miratohen ligje në shpinë të qytetarëve, por hera e parë është kur u themi se kjo kështu nuk mundet dhe patjetër duhet të ndërpritet”- tha kryetarja e Sindikatës së Gazetarëve, Tamara Çausidis.
Organizatorët e protestës së sotme paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë, ndërsa protesta e radhës do të mbahet të premten e javës së ardhshme. (Gyltene Sinani, TVM2)
