Kundërshërbimet, formë e re e korrupsionit
Qytetarët janë të vetëdijshëm se korrupsioni është krim, por janë të gatshëm të shërbehen me të vetëm e vetëm për të realizuar një shërbim të caktuar...

Në vend të dhënies ryshfet, ata përdorin edhe format të tjera për të arritur drejt qëllimit, siç janë kundërshërbimet apo dhuratat e shtrenjta.
Këto janë vetëm disa nga rezultatet e anketës së realizuar gjatë dhjetorit të vitit të kaluar në kuadër të “tuining” projektit “Mbështetje për prevenim efikas dhe luftë kundër korrupsionit”, të cilin po e zbaton Komisioni Shtetëror Kundër Korrupsionit në bashkëpunim me Shërbimin Federal Administrativ të Gjermanisë.
“Një numër i madh i të anketuarve në Maqedoni që janë përfshi në këtë hulumtim vlerësojnë se korrupsioni është krim. Megjithatë, rreth 1/3 e tyre, edhe pse janë të vetëdijshëm se korrupsioni është krim, ata janë të gatshëm të futen në të, pavarësisht nëse janë të detyruar apo e bëjnë atë me vetëdëshirë. Këtë ata e bëjnë për të fituar ndonjë shërbim edhe atë në fushën e shëndetësisë, gjatë punësimit apo të shmangin ndonjë dënim”- deklaroi anëtarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Mirjana Dimovska.
Sipas hulumtimit, ku janë përfshirë 1080 qytetarë, në vendin e parë është shëndetësia me 57,2%, e pasuar nga gjyqësia me 42,2%, arsimi me 27,5% dhe policia me 26,5% ,tha Dimovska, duke shtuar se nevojitet një kapacitet më i madh institucional për t’i zhdukur këto dukuri.
Kjo është një nga tre anketat që do të zbatohen në kuadër të këtij projektit, ndërsa do të pasojë fushata mediale për forcimin e ndërgjegjes tek qytetarët. Projekti ka disa komponente dhe do të zbatohet deri në mes të vitit 2016. (Naim Ramadani, TVM2)
