Besnik Hasi vazhdon kontratën me Anderlehtin

06.02.2015 16:52

Pasi u shpall trajneri i vitit në Belgjikë, Besnik Hasi i shton një tjetër dozë pozitive karrierës së tij të suksesshme te Anderlehti...

Klubi belg do të vazhdojë t’i besojë skuadrën trajnerit shqiptar, të paktën edhe për dy vitet e ardhshëm. E gjithë kjo pasi Hasi ka rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2017.

Firma e ish kapitenit të kombëtares shqiptare në kontratën e re është përjetësuar në foton e publikuar në adresën zyrtare të klubit në internet. Rinovimi është një tjetër shenjë besimi e Anderlehtit në drejtim të Besnik Hasit.

Tekniku mori drejtimin e skuadrës në pjesën e dytë të sezonit të shkuar dhe megjithëse pak besonin, ai arriti të fitonte titullin kampion në Belgjikë. Që në vitin e parë, Hasi i shtoi një tjeër trofe karrierës së tij si trajner i parë, duke fituar edhe Superkupën.

Të gjitha këto kanë shtyrë klubin e Anderlehtit t’i ofrojë rinovimin Hasit, skuadra e të cilit në këtë sezon renditet në vendin e dytë me shtatë pikë më pak se kryesuesit e Klub Bryzh. Po ashtu, pasi u rendit në vendin e tretë në grupet e Champions, Anderlehti do të luajë në Ligën e Europës.