Botë
Rritet bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, tejkalohet shifra e 40 mijë fataliteteve
13.02.2023 10:17
Është rritur në mënyrë të frikshme bilanci i viktimave nga tërmeti që shkatërroi Turqinë jugore dhe Sirinë...

Është rritur në mënyrë të frikshme bilanci i viktimave nga tërmeti që shkatërroi Turqinë jugore dhe Sirinë veriperëndimore të hënën e kaluar. Nga të dhënat e përditësuara paraditen e sotme mësohet se janë të paktën 40.943 të vdekur, nga të cilët në Turqi janë të paktën 31,643.
Këtyre iu shtohet numri i rreth 9300 viktimave në Siri të njoftuar dje nga menaxheri rajonal i emergjencave të OBSH-së, Rick Brennan. Ky i fundit i cituar nga SkyNews, tha se rreth 4,800 njerëz në vend kanë vdekur në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe 4,500 të tjerë kanë vdekur në zonat e kontrolluara nga rebelët.
Ekipet e shpëtimit po nxitojnë të shpëtojnë persona të tjerë të gjallë nën rrënoja, edhe pse ekspertët kanë paralajmëruar se shanset për gjetjen e të mbijetuarve thuajse janë shuar. Rastet e fundit të qytetarëve që janë nxjerrë të gjallë; si një grua në Hatai e shpëtuar pas 175 orësh, një burrë në Hatai i shpëtuar pas 167 orësh, një grua 55-vjeçare pas 159 orësh, apo një 25 -vjeçar dhe një fëmijë të nxjerrë pas 152 orësh nën rrënoja; janë cilësuar si mrekulli. Shumë ankohen se të afërmit e tyre janë ende nën rrënoja, por se askush nuk ka ardhur që t’i shpëtojë.
Tërmeti ka lënë qindra mijëra persona të pastrehë, me shumë që po flenë në tenda dhe automjete prej 1 jave, ndërsa temperaturat vijojnë të jenë disa gradë nën zero.
Edhe më e vështirë është situata përtej kufirit në Siri, ku të mbijetuarit e luftës 12-vjeçare dhe tani edhe të tërmetit nuk kanë mundur të sigurojnë dot, as tenda e as ndihma. OKB-ja ka shprehur alarm dhe zhgënjim për situatën në Sirinë veriperëndimore.
