Maqedoni
Ditë zie në RMV, respekt për viktimat e tërmeteve në Turqi dhe Siri
13.02.2023 15:06
Në kujtim të viktimave nga tërmetet shkatërruese në Turqi dhe Siri...

Në kujtim të viktimave nga tërmetet shkatërruese në Turqi dhe Siri, dita e hënë në Maqedoninë e Veriut është shpallur ditë zie. Në vendin tonë dhe përpara përfaqësive diplomatike dhe konsullore flamuri është ulur në gjysmështizë. Vendimi është marrë nga Qeveria, si shprehje e solidaritetit dhe respektit për numrin e madh të jetëve të humbura të shkaktuara nga tërmeti katastrofik që ndodhi në Turqi dhe Siri më 6 shkurt.
"Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut shpreh ngushëllime të thella për humbjet, për të gjithë popullin turk dhe për të afërmit e të prekurve nga tërmeti në Turqi dhe Siri.", thuhet në vendimin e qeverisë.
Me një minutë heshtje edhe Kuvendi gjatë fillimit të seancës se sotme nderoi viktimat e tërmetit me pasoja katastrofale, ku numri i të vdekurëve nga tërmetet, ka shkuar në mbi 36 mijë. Me këtë rast janë anuluar të gjitha aktivitetet dhe evenimentet me karakter argëtues, si dhe të gjitha programet televizive do të emetojnë muzikë serioze klasike, në shenjë respekti dhe solidariteti për viktimat e këtij rasti tragjik. (Belinda Koka - Ademi, TVM2)
