Maqedoni
Osmani për vizitë zyrtare në Moldavi
13.02.2023 15:18
Agresioni rus në Ukrainë dhe konflikti i ngrirë në rajonin separatist të Transnistrisë...

Agresioni rus në Ukrainë dhe konflikti i ngrirë në rajonin separatist të Transnistrisë ka rikthyer vëmendjen e organizmave ndërkombëtare ndaj Moldavisë. E para që përpiqet të evitojë një eskalim të mundshëm të situatës dhe të nxis zgjidhjen e problemeve është Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Kyesuesi në detyrë i OSBE-së, njëkohësisht ministër i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, po qëndron në një vizitë dyditore në Kishinau të Molldavisë për të takuar kreun shtetëror por, edhe liderët e Transnistrisë. Mbase, në një përpjekje të OSBE-së për t’i dhënë shtysë dialogut në kuadër të procesit pesë plus dy për zgjidhjen e këtij konflikti të ngrirë 30 vjeçar.
Osmani, i shoqëruar nga kreu i task forcës së OSBE-së Dushko Uzunovski dhe përfaqësuesi i lartë i Misionionit të përhershëm të OSBE-së në Shkup, Edvard Mitevski, fillimisht do të vizitojë Qendrën “Moldavia për paqe” dhe qendrën për përkrahje vullnetare të refugjatëve ukrainezë si dhe missionin e OSBE-së në Moldavi.
“Ne po shpërndajmë ndihma për refugjatët ukrainez, për katër deri në gjashtë mijë pesona në javë. Ky është numri i personave që vijnë në pikën tonë të grumbullimit dhe shpërndarjes së ndihmave. Kjo është një sfidë për ne që në vazhdimësi të gjejmë donacione dhe të mos ndalojmë përpjekjet tona për të ndihmuar.”, tha Olek Tomsha nga Qendra për përkrahje vullnetare të refugjatëve ukrainezë.
Por cila është sfida e OSBE-së dhe organizmave ndërkombëtare në Moldavi?!
Transnistria është një republikë e panjohur, brenda kufijve të Molldavisë, në kufi me Ukrainën, me popullatë kryesisht rusë dhe ukrainezë si dhe kryeqytet të vetëshpallur Tiraspolin. Rusia ushtron kontroll të konsiderueshëm politik dhe mban një forcë të përhershme ushtarake në këtë rajon. Lufta në Ukrainë e ka sjellë Transnistrinë në qendër të vëmendjes pasi një disfatë e mundshme në mbrojtjen e qytetit ukrainez Odesa i jep ushtrisë ruse qasje në Transnistri.
Duhet theksuar se, Moldavia është një vend me rreth 2.6 milionë banorë dhe nuk është as anëtar i NATO-s dhe as i BE-së pasi edhe shoqëria edhe politika moldave është e ndarë. Aktualisht, në pushtet janë forcat properëndimore.
SHPËTIM NUREDINI
